Tanzania, At Kitima: shumë të vdekur në protesta. Kisha e angazhuar për dialog
Tanzania, At Kitima: shumë të vdekur në protesta. Kisha e angazhuar për dialog 06.11.2025 | 03:33
Në vendin afrikan të tronditur nga demonstratat në sheshe kundër zgjedhjeve të fundit të cilësuara si të parregullta, viktimat thuhet se janë me qindra. Sekretari i Përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvore: "I kërkojmë qeverisë të dëgjojë vërtet popullatën. Ata që duan ndryshim janë kryesisht të rinjtë"
 
«Po, të vdekurit janë qindra. Është vërtet diçka çnjerëzore». Ajo që askush nuk do të kishte dashur të dëgjonte, tani na konfirmohet: në protestat në sheshe, të cilat ditët e fundit kanë tronditur Tanzaninë me përleshje mes policisë dhe demonstruesve që kundërshtonin rezultatin e zgjedhjeve të fundit të përgjithshme, viktimat nuk do të ishin vetëm disa dhjetëra, siç kishin llogaritur gabimisht disa vëzhgues ndërkombëtarë. Do të ishin vërtet shumë më tepër. Një masakër.
 
Komunikime të pjesshme
 
At Charles Kitima, sekretar i përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvore të Kishës katolike të vendit, arrin të kontaktojë me mediat e Vatikanit pikërisht në momentin kur, këtë mëngjes, autoritetet e Tanzanisë kanë rivendosur pjesërisht lidhjet telefonike dhe kanë rifilluar me ndërprerje internetin me një rekomandim të prerë dhe të keq, për të gjithë popullatën: të shmangin shpërndarjen dhe publikimin, sidomos në rrjetet sociale, të imazheve që mund të gjenerojnë alarm dhe të "fyejnë jetën njerëzore".
 
Denoncimi i opozitës
 
Ka nga ata që, në këtë paralajmërim të autoriteteve të Tanzanisë , kanë parë tentativën për të frenuar denoncimin e opozitës që sot ka akuzuar forcat e sigurisë se kanë hedhur fshehurazi në vende të papërcaktuara trupat e qindra personave të vrarë gjatë ditëve të protestave. Grumbuj të vdekurish që dikush mund t'i ketë fotografuar dhe mund, herët a vonë, të ketë interes t'i shpërndajë. Parregullsi dhe rrëmbime.
 
«Manifestimet në sheshe që përfshinë të gjithë vendin filluan për shkak të disa parregullsive që u konstatuan gjatë periudhës zgjedhore. Por edhe për të bërtitur para botës shkeljen sistematike të të drejtave themelore të njeriut përmes rrëmbimit dhe vrasjes së disa politikanëve dhe atyre që kundërshtonin qeverinë», tregon At Kitima. Ai nuk mohon se edhe demonstruesit, në disa raste, janë lëshuar në abuzime, shkatërrime dhe plaçkitje: «Por forcat e rendit kanë reaguar duke qëlluar mbi turmën me plumba të vërtetë, duke plagosur dhe vrarë».
 
Kisha e mobilizuar
 
Kisha lokale sigurisht nuk ka qëndruar duarkryq. Që në fillim, kur vuri re parregullsitë zgjedhore, organizoi takime me disa zyrtarë qeveritarë për të kërkuar një votim të drejtë, të lirë dhe të besueshëm. «Ipeshkvijtë e Kishës katolike të Tanzanisë kanë organizuar edhe lutje kombëtare dhe kanë dënuar zhdukjet dhe rrëmbimet, rrëmbimin e politikanëve dhe të eksponentëve të tjerë të partive opozitare. Konferenca Ipeshkvore e Kishës katolike ka shkruar madje letra të hapura për të dënuar këto fakte dhe për t'i thënë qeverisë së Tanzanisë se duhet të ulej në tryezën e bisedimeve dhe të dialogonte me partitë politike të opozitës». Kërkesë për konfrontim.
 
Tani që ngjarjet kanë precipituar, ipeshkvijtë kanë thirrur, për javën e ardhshme, një takim urgjent kishtar në të cilin do të përcaktojnë një strategji për të promovuar një veprim vendimtar dhe paqësor. Për dialog, këto ditë, pati folur edhe presidentja e Tanzanisë Samia Suluhu Hassan gjatë ceremonisë së betimit të mandatit të saj të dytë, e cila u zhvillua pavarësisht tensioneve në një kryeqytet të blinduar. At Kitima dyshon akoma e thotë: «Konfrontimin jemi ende duke e pritur. I kërkojmë qeverisë të dëgjojë vërtet popullatën ndërsa popullit tonë i themi se drejtësia kërkon që të diskutohet edhe e vërteta: ka probleme që duhet të zgjidhen dhe ata që i kanë shkaktuar duhet të marrin përgjegjësitë e tyre. Kisha po kërkon një mënyrë për të shëruar» plagët e shoqërisë.
 
Të rinjtë në vijën e parë
 
Siç ka ndodhur tashmë në vende të tjera afrikane, ka protagonistë absolutë pas të gjitha manifestimeve në Tanzani: të rinjtë. Janë ata, siguron sekretari i përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvore të Kishës katolike të vendit afrikan, që duan ndryshimin. Të rinjtë kërkojnë nga politika një përfshirje më të madhe dhe më konkrete, ata do të donin që vota e tyre të kishte vërtet rëndësi, siç parashikon Kushtetuta: «Problemi, megjithatë, është se këtu zgjedhjet e lira, të drejta dhe të besueshme janë një problem serioz. Kanë të drejtë. Të rinjtë. Dhe Kisha jonë përpiqet t'i ndihmojë duke u ofruar atyre një program special të edukimit qytetar dhe të edukimit për të drejtat e njeriut për alfabetizimin politik në gjendje të ofrojë njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për të ushtruar të drejtat e tyre politike». Kjo është arsyeja pse të rinjtë nuk e kanë të vështirë të pohojnë me zë të lartë se në Tanzani «institucioni i vetëm që është në gjendje t'i mbrojë është Kisha Katolike»./Radio Vatikani
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Pastë me spinaq e djath Zieni pastat. Përderisa zihen pastat, përgatisni sosin. Në një tigan të thelle shkrni buterin,
Ëmbëlsirë e shpejtë nga mollët dhe arrat: Desert perfekt i gatshëm për gjysmë ore! Kombinimi i mollëve dhe i arrave përbën shije të vërtetë.
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Supë me patate dhe selino Selinoja është një perime e mrekullueshme e njohur gjërësisht për vetitë detoksifikuese të
Tost dietik integral me gjethe selinoje Mënyra e përgatitjes: Përhapni gjalpin e kikirikut mbi 2 fetat e bukës.