Familjet u fshehën në llogore, trupa të pajetë qëndronin në rrugë, ndërsa fëmijë u vranë para syve të prindërve.
Kështu e përshkruajnë të mbijetuarit hyrjen e forcave paraushtarake sudaneze Rapid Support Forces (RSF) në qytetin perëndimor El-Fasher, që prej së dielës kur ato morën nën kontroll fortesën e fundit të ushtrisë në Darfur.
OKB-ja dhe organizatat humanitare paralajmërojnë për rrezik të masakrave dhe spastrimit etnik, raporton AFP.
Më shumë se 36 mijë civilë kanë ikur që nga e diela. Disa prej tyre kanë gjetur strehim në qytetin Tawila, rreth 70 kilometra në perëndim, që tashmë strehon rreth 650 mijë persona të zhvendosur.
Tre të mbijetuar që arritën në Tawila, përmes lidhjeve telefonike satelitore kanë rrëfyer për AFP terrorin dhe humbjet e pësuara gjatë ikjes nga qyteti, i rrethuar për 18 muaj dhe i lënë pa ushqim, ilaçe dhe ndihma.
Shumë nga dëshmitë e tyre ngjajnë me ato të masakrave të Darfurit në fillim të viteve 2000, kur milicitë Janjaweed, forca të akuzuara atëherë për gjenocid dhe që më vonë u shndërruan në RSF, dogjën fshatra dhe vranë rreth 300 mijë njerëz, duke zhvendosur 2.7 milionë të tjerë.
Hayat (emrat e të intervistuarve janë ndryshuar nga redaksia për të mbrojtur ruajtur e tyre) nënë e pesë fëmijëve, rrëfen se si ata e vranë djalin e saj 16-vjeçar.
“Të shtunën në orën 6 të mëngjesit bombardimet ishin shumë të rënda. Mora fëmijët dhe u fsheha me ta në një llogor. Ne nuk kemi dëgjuar asgjë nga burri im për gjashtë muaj”.
“Pas rreth një ore, shtatë luftëtarë të RSF hynë në shtëpinë tonë. Ata morën telefonin tim, kontrolluan edhe rrobat e mia të brendshme, dhe e vranë djalin tim 16-vjeçar para syve tanë. Ikëm bashkë me shumë të tjerë nga lagjja jonë”.
“Në rrugën mes El-Fasher dhe Garni, pamë trupa të vdekur dhe njerëz të plagosur të lënë pas sepse familjet nuk mund të mund t’i bartnin. Na grabitën sërish dhe djemtë e rinj që ishin me ne u ndalën. Nuk e dimë ende çfarë ndodhi me ta”, tha ajo.
Hussein, një nga të plagosurit nga bombardimet, rrëfen se si pa trupa në rrugë, e asnjë i varrosur.
“Ne u larguam nga El-Fasher herët të shtunën në mëngjes. Rruga ishte e lodhshme – kishim uri, etje, postblloqe. Para Garnit na ndalën për tre orë. Thanë se duhet të kisha luftuar sepse isha i plagosur”.
“Po të mos ishte një familje me një karrocë me gomarin që po dërgonin nënën e tyre, nuk do të kisha mbërritur. Në El-Fasher ka shumë trupa nëpër rrugë dhe askush nuk mund t’i varrosë. U ndiem falënderues që mbërritëm këtu, edhe pse me vete kishim vetëm rrobat në trup. Këtu, më në fund ndiejmë pak siguri. Isha në klinikë dhe ma kontrolluan këmbën”, tha ai.
E Mohamed, baba i katër fëmijëve, tregoi sesi “disa kufoma ishin kthyer në eshtra”.
“Jetoja në kampin (e personave të zhvendosur) Zamzam. Kur RSF hyri atje, ne ikëm në El-Fasher. Luftimet të shtunën ishin shumë të rënda”.
“Katër vajzat e mia, bashkëshortja dhe unë qëndruam të fshehur në një llogor deri në agim. Gjatë rrugës, m’i grabitën paratë dhe i ndalën djemtë e rinj për t’i marrë. Pashë trupa të vdekur, disa veçse të kthyer në eshtra. Tani po flemë nën qiell të hapur, pa batanije, pa çadra. Ne vetëm duam që lufta të mbarojë që të kthehemi në shtëpitë tona”.
Këtij rrëfimi i bashkëngjitet edhe Emtithal Mahmoud, 32 vjeçare e zhvendosur në ShBA: E njoha kushërirën time nga një video e RSF-së.
“Është pothuajse e pamundur të përshkruhet ndjesia që po ndiejmë tani si njerëz nga Darfuri. Shumë nga anëtarët e familjes sonë janë ende të bllokuar në qytet. Nuk e dimë kush është i vdekur ose kush është gjallë”.
“Kemi video dhe raportime për njerëz që po vriten. Është kaq e tmerrshme sepse edhe në videot që RSF po ndan, duke u mburrur ndërsa kryejnë një vazhdim të gjenocidit që nga fillimi i viteve 2000, ne po i njohim anëtarët e familjes dhe miqtë tanë. Zbuluam se një nga kushërirat tona u vra për shkak të një videoje që po qarkullonte”.
“Në videon e qarkulluar nga vrasësit e saj, RSF, mund ta shihni kufomën e saj në tokë. Dhe mund ta dëgjoni personin e RSF duke thënë: ‘Ngrihu nëse mundesh’. Dhe kështu ata po e tallnin kufomën e saj dhe kjo është një formë tjetër torture”.
“Ajo ishte vullnetare për një kohë të gjatë dhe kur ndodhi rrethimi, ajo iu bashkua rezistencës. Ajo është një nga luftëtaret gra”.