Udhëtimi i Papëve në Turqi, tokë e Koncileve ku rritet dialogu për Unitetin
Udhëtimi i Papëve në Turqi, tokë e Koncileve ku rritet dialogu për Unitetin 26.11.2025 | 03:14
Udhëtimi i parë apostolik i Papës Leoni XIV në Turqi nga 27 deri në 30 nëntor, e më pas në Liban nga 30 nëntori deri më 2 dhjetor, ndjek gjurmët e paraardhësve të tij. Pali VI e vizitoi këtë vend në vitin 1967, Gjon Pali II në vitin 1979, Benedikti XVI në vitin 2006 dhe Françesku në vitin 2014.
 
Ky udhëtim i Papës në Turqi shkon drejt gurrave të fesë, drejt rrënjëve të Krishterimit! Papa Leoni XIV është Papa i pestë që e viziton këtë vend.
 
Shtegtimi i parë apostolik i papnisë së tij, i cili përfshin edhe Libanin, hapet në Turqi nga 27 deri në 30 nëntor, me rastin e 1700-vjetorit të Koncilit I të Nikesë i cili, pas shtatëmbëdhjetë shekujsh, mbetet ende aktual. Qëllimi është të nxitet vëllazëria dhe dialogu ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit.
Papa Leoni XIV po bënë këtë udhëtim apostolik duke realizuar dëshirën e Papës Françesku për ta kremtuar përvjetorin e Koncilit kishtar të Nikesë, ngjarjes historike kishtare, të thirrur nga Perandori Romak Konstandini në vitin 325 pas Krishtit. Në bulën e Jubileut, Spes non confundit, Françesku nënvizon se Koncili i Nikesë është "gur kilometrik” në historinë e Kishës. E përfaqëson edhe një ftesë drejtuar "të gjitha Kishave dhe bashkësive kishtare për të ecur në rrugën drejt unitetit të dukshëm". Kredoja a Besojma e krishterë, u përcaktua në Nike. Kjo lutje thekson një nga çastet më kryesore të udhëtimit apostolik të Leonit XIV: takimin ekumenik pranë gërmimeve arkeologjike të Bazilikës së Shën Neofitit në qytetin e Iznikut, Nikea e lashtë, rreth njëqind kilometra larg Stambollit.
 
Udhëtimi apostolik i Palit VI në vitin 1967
 
Shtegtimin e tij të parë apostolik në Turqi e bëri Papa Pali VI. Kjo vizitë historike u bë më 25 dhe 26 korrik 1967, në një tokë që shërbeu si urë lidhëse ndërmjet Evropës dhe Azisë. Në periudhën që i parapriu mbërritjes së Papës Montini, pritja ishte e prekshme. Në Stamboll, Kostandinopoja e lashtë dhe metropoli i madh i Lindjes, ku u shkruan faqe të shquara në historinë e Krishterimit, bashkësia vendase u përgatit për takimin me Ipeshkvin e Romës. Pavarësisht nga tërmeti që e lëkundi vendin më 22 korrik të atij viti, Kishat ishin plot me besimtarë. Qenë ditë kur katolikët dhe të krishterët e tjerë, të cilët ishin me pushime, u kthyen në Stamboll, Efes dhe Smirnë. Donin të ishin të pranishëm në ngjarjen e madhe, pati shkruar "L'Osservatore Romano" në raportin që i parapriu mbërritjes së Papës Montini në Turqi në vitin 1967.
 
Përqafimi me Patriarkun Athenagora
 
Një nga pamjet e para, pas uljes në Aeroportin Yeşilköy - i cili në vitin 1980 u quajt me emrin e presidentit të parë turk, Mustafa Kemal Atatürk - ishte përqafimi vëllazëror i Papës me Patriarkun Ekumenik Athenagoras, që u takuan për herë të parë në Jerusalem, në vitin 1964. Këto janë pamje të pashlyeshme, të shoqëruara nga fjalët e përfshira në letrën e Papës Montini drejtuar "vëllait të tij të dashur" Athenagoras. Në këtë dokument, Pali VI shpreh "dëshirën e zjarrtë për ta jetuar lutjen e përmbushur të Zotit: 'që ata të jenë një, ashtu siç jemi edhe ne një'". "Kjo dëshirë", shkruan Papa Montini, "gjallëron një vullnet të vendosur për të bërë gjithçka e për të shpejtuar ditën kur do të rivendoset bashkimi i plotë ndërmjet Kishës së Perëndimit dhe Kishës së Lindjes". Në ceremoninë e mirëseardhjes, Pali VI, duke iu drejtuar Kryetarit të atëhershëm të Shtetit Cevdet Sunay, theksoi gjithashtu se vizita në Turqi synon të jetë "dëshmi e miqësisë dhe e vlerësimit që Kisha Katolike ka për popullin turk".
 
Kuptimi i unitetit të thellë
 
Një nga ngjarjet qendrore ka si sfond Kishën Patriarkale Ortodokse të Shën Gjergjit, në Fanar. Këtu, Pali VI u prit nga Patriarku Athenagoras. Fjalët e tij janë nxitje edhe për sot.
 
Pali VI dhe identiteti i thellë i fesë sonë
 
"Në dritën e dashurisë sonë për Krishtin dhe në dashurinë tonë vëllazërore për njëri-tjetrin, ne po zbulojmë gjithnjë e më shumë identitetin e thellë të besimit tonë, ndërsa pikat për të cilat jemi ende të pavendosur, nuk duhet të na pengojnë ta kuptojmë këtë unitet të thellë”.
 
Patriarku Athenagoras kujton se qëllimi është edhe "të bashkohet ajo që është e ndarë, me veprim të ndërsjellë kishtar, sa herë që është e mundur, duke pohuar pikat e përbashkëta të fesë së krishterë dhe të qeverisjes".
 
Pritja e Benediktit XV
 
Një tjetër ngjarje e pritur me padurim zhvillohet gjithashtu më 25 korrik. Vendndodhja është Katedralja Katolike e Shpirtit Shenjt në Stamboll. Në oborrin e kësaj kishe mund të shihet një shtatore kushtuar një Pape e, poshtë monumentit, lexohet mbishkrimi: “Për Papën e madh të orës tragjike botërore, Benediktin XV, bamirësin e popujve pa dallim kombësie apo feje, në shenjë mirënjohjeje, Orienti (1914-1919)”. Fjalimi i Papës Montini drejtuar peshkopëve, priftërinjve, rregulltarëve dhe besimtarëve hapet pikërisht me këtë theks. “Ne nuk ndihemi si të huaj në këtë kishë”, pohon Pali VI, “ku ndjehemi se ndjekim gjurmët e paraardhësve tanë. A nuk ishte Benedikti XV ai që na priti pak më parë në hyrje?”. Benedikti XV, shtatorja e të cilit qëndron aty për t’u kujtuar brezave të ardhshëm zemrën e madhe të këtij Papë madhështor, i cili vuajti thellë nga dhimbja e Luftës I Botërore”.
 
Shtegtimi Palit VI në agimin e Vitit të Fesë 1967
 
Një çast tjetër, kyç i shtegtimit apostolik të vitit 1967, ishte Mesha kremtuar më 26 korrik në Kishën e Sh’na Ndout në Stamboll. Në predikimin e tij, Pali VI kujtoi figurën e një Pape tjetër: Papës Gjoni XXIII, më shumë se njëzet vjet para zgjedhjes së tij në Selinë e Pjetrit si delegat apostolik në Turqi dhe në Greqi. Vitet 1930 qenë periudhë në të cilën Kisha Katolike ishte e pranishme në shumë forma në Republikën e re Turke, themeluar në vitin 1923. Misioni i atëhershëm i Imzot Angelo Giuseppe Roncallit në Turqi u karakterizua nga shërbesa e tij ndaj katolikëve dhe nga dialogu me botën ortodokse e myslimane. Pali VI, në Kishën e Shëna Ndout, e kujtoi me këto fjalë: “Kjo Kishë ishte e preferuara e Papës Gjoni XXIII i cili përmbushi shërbimin e Selisë Apostolike këtu, si delegat apostolik". "Kujtimi i tij  - shtoi Pali VI në atë rast - është, edhe këtu, i përjetshëm". Pali VI theksoi edhe se udhëtimi apostolik në Turqi ndodhi në vitin 1967, "në agim të Vitit të Fesë, në nderim të vendeve që me të drejtë duhet të konsiderohen të privilegjuara, për monumentet e fesë krishterë që përmbajnë dhe për rëndësinë që kanë".
 
Një udhëtim në zemrën e Palit VI
 
Po kujtojmë udhëtimin e Papës Palit VI në Turqi. Pas Meshës në Kishën e Sh’na Ndout, dita e 26 korrikut vazhdoi me nisjen nga Stambolli dhe takimet me besimtarët e Efesit dhe të Smirnës, vende në Azinë e Vogël ku - siç theksoi Pali VI - janë të ngulitura "kujtimet e mëdha të krishtera". Në ceremoninë e lamtumirës nga Turqia, Papa Montini kujtoi disa çaste të udhëtimit apostolik dhe, më pas, shqiptoi këto fjalë: "Ne i mbajmë të gjitha këto në zemrat tona". Kishte ardhur koha për të rifilluar udhëtimin drejt shtëpisë, ndërsa në Romë, një turmë e madhe e priste atë në tarracat dhe në sheshet e Aeroportit të Fiumicino-s. Të gjithë donin ta përshëndesnin Papën.
 
Udhëtimi Apostolik i Gjon Palit II në vitin 1979
 
Duke ndjekur gjurmët e Palit VI, Gjon Pali II shtegtoi për në Turqi në vitin 1979. "Unë vij në këtë komb" - deklaroi Papa polak pas largimit të tij - "për të vazhduar me një angazhim të ripërtërirë përpjekjen drejt unitetit të të gjithë të krishterëve, bazuar mbi një nga qëllimet kryesore të Koncilit II të Vatikanit". Papa Wojtyła e nisi shtegtimin e tij ekumenik në Ankara. "Është gëzim i madh për mua, Pasardhësin e Pjetrit - i tha bashkësisë katolike të atij qyteti - t'ju drejtohem sot me të njëjtat fjalë që Shën Pjetri u drejtoi nëntëmbëdhjetë shekuj më parë të krishterëve që ishin atëherë, siç janë sot, pakicë e vogël në këto toka". Takimet me Patriarkun e Kostandinopojës Dimitrios dhe Patriarkun armen Shnorhk Kalustian i paraprinë përqafimit të tij me komunitetin katolik armen të Stambollit. Ai i ngarkoi një mision të veçantë kësaj pjese të popullit të Zotit:
 
"Ju jeni të thirrur më shumë se të tjerët të jeni arkitektët e unitetit."
 
Turqia tokë e Koncileve
 
Parimet themelore të fesë gjetën formulim dogmatik në koncilet ekumenike të mbajtura në Stamboll ose në qytetet e afërta, përfshirë Nikenë dhe Efesin. Këtë kujtoi Papa Gjon Pali II në homelinë e tij në Katedralen e Shpirtit Shenjt. "Si mund të mos kujtojmë me emocion" - deklaroi - "Etërit e Kishës Lindore, Pastorët dhe Doktorët, të lindur në këtë rajon" dhe "apostullatin e tyre të pakrahasueshëm".
 
Të nesërmen, më 30 nëntor 1979, Gjon Pali II u takua për herë të parë me komunitetin polak. Ishte një koloni e vogël: "Ju jeni trashëgimtarë të atyre polakëve që, më shumë se njëqind vjet më parë - kujtoi Papa Vojtila në atë rast - "themeluan këtë oazë polake në Bosfor".
 
Nën sytë e Marisë
 
Një nga çastet e fundit të shtegtimit apostolik të Gjon Palit II në Turqi ishte Mesha në Efes. Gjatë homelisë, Papa ia besoi fatin e Kishës Nënës së Zotit. Ai kujtoi udhëtimin drejt unitetit të plotë ndërmjet gjithë të krishterëve. "Nën sytë e saj amtarë ne jemi gati të pranojmë gabimet tona të ndërsjella, egoizmin tonë, ngadalësinë tonë: ajo lindi një Bir të vetëm, dhe për fat të keq, ne ia paraqesim asaj të ndarë. Ne ia besojmë Marisë vendosmërinë tonë të sinqertë për të mos pushuar derisa caku ynë të arrihet me gëzim".
 
Apostullimi dhe uniteti
 
Udhëtimi për në Turqi - kujtoi Gjon Pali II në përfundim të shtegtimit të tij pasi zbarkoi në Aeroportin e Romës, Fiumicino, - shënohet nga dy "nota" dalluese: apostullimi dhe uniteti.
 
Me zemrën ende të mbushur me emocione të forta dhe duke mbartur në shpirt pamje të paharrueshme të vendeve të çmuara nga traditat e nderuara, shkela përsëri në tokën italiane. I shpreh mirënjohjen Zotit për ndihmën që më dha edhe në këtë shtegtim, i cili u zhvillua nën flamurin e dy "notave" të veçanta të Kishës, asaj të apostullimit dhe asaj të unitetit.
 
Udhëtimi i Gjon Palit II dëshmon edhe një herë "vullnetin e vendosur" të një Pasardhësi të Pjetrit "për të ecur përpara në rrugën që çon në unitetin e plotë të të gjithë të krishterëve".
 
Udhëtimi Apostolik i Benediktit XVI në vitin 2006
 
Në vitin 2006, Benedikti XVI udhëtoi për në Turqi. Në fillim të udhëtimit të tij apostolik, dëshiroi para së gjithash të kujtonte "vizitat e paharrueshme" të Palit VI dhe të Gjon Palit II. "Po kështu - shtoi ai, duke u takuar me Trupin Diplomatik në Ankara - si mund të mos e kujtojmë Papën Benedikti XV, një mbrojtës i palodhur i paqes gjatë Luftës I Botërore, dhe të Lumin Gjon XXIII, Papën, mik të turqve," delegat apostolik në Turqi dhe administrator apostolik i Vikariatit Latin të Stambollit.
 
Paqe ndërmjet popujve
 
Më 29 nëntor 2006, Benedikti XVI kryesoi kremtimin Eukaristik në Shenjtëroren Kombëtare Mariane të Meryem Ana Evì, në Efes dhe u lut për paqe në Tokën e Shenjtë dhe në mbarë botën.
 
Benedikti XVI dhe lutja për Paqe nga Efesi
 
Nga Efesi, qytet i bekuar prej pranisë së Virgjërës së Lume Mari - që e dimë se është e dashur dhe e nderuar nga myslimanët - i lartojmë një lutje të veçantë Zotit për paqe ndërmjet popujve. Nga ky cep i Gadishullit Anadollak, urë natyrore që lidh kontinentet, ne kërkojmë paqe dhe pajtim, para së gjithash për ata që jetojnë në Tokën të cilën e quajmë "të shenjtë" dhe që konsiderohet si e tillë nga të krishterët, hebrenjtë dhe myslimanët njësoj: është toka e Abrahamit, Isakut dhe e Jakobit, e destinuar të presë një popull, që do të bëhet bekim për të gjithë popujt (krh. Zan 12:1-3). E paqe për mbarë njerëzimin!
 
Takim me Patriarkun Bartolomeu I
 
30 nëntori 2006 është festa e Shën Andreut Apostull dhe takimi i Papës Benedikti XVI me Patriarkun Ekumenik Bartolomeu I. "I urojmë Autorit
 çdo të mirë" - shkruhet në Deklaratën e Përbashkët, "i cili na lejon edhe një herë, në lutje dhe shkëmbim, të shprehim gëzimin tonë që na bën të ndihemi si vëllezër". Këto fjalë gërshetohen me përqafimin e Patriarkut Athenagoras nga Papa Pali VI. Më pas, në Kishën Patriarkale të Shën Gjergjit, në Fanar, Benedikti XVI theksoi se "ndarjet që ekzistojnë ndërmjet të krishterëve janë shkandull për botën e pengesë për shpalljen e Ungjillit".
 
Të përparojmë në rrugën drejt unitetit
 
Vizita e lutjes në Patriarkanën Apostolike Armene dhe takimi me Patriarkun Mesrob II i paraprinë çastit të fundit të shtegtimit apostolik të Benediktit XVI në Turqi: kremtimit eukaristik në Katedralen e Shpirtit Shenjt në Stamboll. "Njëzet e shtatë vjet më parë, në të njëjtën katedrale, paraardhësi im Gjon Pali II shpresonte se agimi i mijëvjeçarit të ri do të lindte mbi një Kishë që kishte rizbuluar unitetin e saj të plotë, për të dëshmuar më mirë, mes tensioneve të përkeqësuara të botës, dashurinë transcendente të Zotit, të manifestuar në Birin e tij Jezu Krishtin". Kjo shpresë, theksoi Benedikti XVI, nuk është realizuar ende. "Por dëshira e Papës është gjithmonë e njëjtë dhe na shtyn të gjithëve ne, dishepujve të Krishtit, që të përparojmë me ngadalësinë dhe varfërinë tonë, në rrugën që të çon drejt unitetit."
 
Udhëtimi Apostolik i Françeskut në vitin 2014
 
Turqia është udhëkryq takimi dhe dialogu. Gjatë vizitës së tij apostolike në Turqi, në vitin 2014, Papa Françesku vlerësoi angazhimin e vendit ndaj refugjatëve dhe theksoi rolin e vendit si urë ndërmjet kontinenteve dhe popujve. "Turqia, për shkak të historisë së saj, pozicionit të saj gjeografik dhe rëndësisë së saj në rajon" - theksoi Papa gjatë takimit të tij me autoritetet - "ka një përgjegjësi të madhe: vendimet dhe shembulli i saj kanë vlerë të veçantë dhe mund të jenë ndihmë e rëndësishme në nxitjen e takimit të qytetërimeve". Papa argjentinas theksoi, më pas, se "liria fetare dhe liria e shprehjes, të garantuara në mënyrë efektive për të gjithë, do të inkurajojnë lulëzimin e miqësisë, duke u bërë shenjë shprehëse e paqes".
 
Shpirti Shenjt dhe uniteti i Kishës
 
Më 29 nëntor, mbërritja e Papës Françesku në Stamboll - me vizita në Xhaminë e Sulltan Ahmetit (Xhamia e famshme Blu), Shën Sofinë dhe një përshëndetje nga bashkësia katolike në kopshtin e vogël të delegacionit apostolik - hapi pjesën ekumenike të shtegtimit apostolik. Një nga pamjet më domethënëse është ajo e Françeskut zbathur, me duart e bashkuara, duke u ndalur për shumë kohë në lutje të heshtur, pranë Myftiut të Madh në xhami. Skena më pas zhvendoset në Katedralen Katolike të Shpirtit Shenjt për Meshë. Në predikimin e tij, Françesku kujtoi "parimin harmonizues" për arritjen e unitetit ndërmjet besimtarëve.
 
Françesku: Shpirti Shenjt bën bashkim
 
Shpirti Shenjt krijon unitet në Kishë: unitet në fe, unitet në bamirësi, unitet në kohezionin e brendshëm. Kisha dhe Kishat janë të thirrura të udhëhiqen nga Shpirti Shenjt, duke mbajtur qëndrim hapjeje, dëshire dhe bindjeje. Është Ai që harmonizon Kishën. Më vjen ndërmend ajo fjala e bukur e Shën Vasilit të Madh: "Ipse harmonia est", "Ai Vetë është harmonia".
 
Dita e 29 nëntorit 2014 përfundoi me një lutje ekumenike në Kishën Patriarkale të Shën Gjergjit. Papa i kërkoi Patriarkut Bartolomeu I një nderë: "të më bekojë mua dhe Kishën e Romës". 30 nëntori ishte dita e nënshkrimit të deklaratës së përbashkët. Papa Françesku dhe Patriarku Ekumenik Bartolomeu I shprehën dëshirën e tyre të sinqertë dhe të vendosur për të intensifikuar përpjekjet e tyre "për unitetin e plotë ndërmjet të gjithë të krishterëve, e, veçanërisht, ndërmjet katolikëve dhe ortodoksëve".
 
Pamja e fundit e udhëtimit të Françeskut në Turqi ishte përqafimi me refugjatët e rinj. Ata vinin nga Turqia, Siria, Iraku dhe vende të ndryshme në Lindjen e Mesme dhe Afrikë. Situata e tyre e vështirë, theksoi Papa Bergoglio, argjentinas, "është pasojë e trishtueshme e konflikteve të keqësuara dhe luftës".
 
Hapat e Papëve dhe Turqia
 
Turqia është në zemrat e Papëve. Pali VI e vizitoi këtë vend pak më shumë se katër vjet pas zgjedhjes së tij në Selinë e Pjetrit. Gjon Pali II vizitoi Turqinë një vit pasi u zgjodh Papë. Edhe për Benediktin XVI dhe Françeskun, udhëtimi apostolik në Turqi nuk është larg datës së zgjedhjes së tyre.
 
Duke ndjekur historinë, të duket se Papët, pas zgjedhjes, duan ta përqafojnë dhe ta puthin menjëherë këtë tokë që ruan kujtesën e rrënjëve të fesë së krishterë .
 
Tani populli turk pret Leonin XIV
 
Udhëtimi i parë apostolik i Papnisë së Leonit XIV fillon në këtë rajon të botës, ku faqet e pashlyeshme të Krishterimit ndriçojnë shtigje të gjurmuara tashmë por që ende nuk janë përfunduar. Hapat e Papës Leonit XIV janë të freskta, në përkim me frymën e Koncilit të Nikesë. Hapat, që ndërmerren me vëllanë e tij Patriarkun Bartolomeun I, duke ndjekur gjurmët e Palit VI, Gjon Palit II, Benediktit XVI dhe Françeskut, si dhe Benediktit XV dhe Gjonit XXIII. 
 
Papët përqafojnë Turqinë, një tokë të lidhur pazgjidhshmërisht me origjinën dhe historinë e Kishës. Hapat e Papëve i shtohen atyre të Apostullit të Popujve, Shën Palit, i cili ishte hebre nga Tarsi, në Turqinë e sotme. Leoni XIV, në këtë tokë të Koncileve kishtare, të cilat luajtën një rol të dorës së parë në agimin e Krishterimit, ripërtërin misionin e Pjetrit në fazën e fundit të Vitit të Shenjtë të Shpresës, duke e shtrirë drejt Dritës së Krishtlindjes./Radio Vatikani
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Pastë me spinaq e djath Zieni pastat. Përderisa zihen pastat, përgatisni sosin. Në një tigan të thelle shkrni buterin,
Ëmbëlsirë e shpejtë nga mollët dhe arrat: Desert perfekt i gatshëm për gjysmë ore! Kombinimi i mollëve dhe i arrave përbën shije të vërtetë.
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Supë me patate dhe selino Selinoja është një perime e mrekullueshme e njohur gjërësisht për vetitë detoksifikuese të
Tost dietik integral me gjethe selinoje Mënyra e përgatitjes: Përhapni gjalpin e kikirikut mbi 2 fetat e bukës.