Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është duke shqyrtuar një sulm fillestar të kufizuar ndaj Iranit për ta detyruar këtë shtet që t’i pranojë kërkesat e kreut të Shtëpisë së Bardhë për një marrëveshje bërthamore, një hap i parë që do ta kishte për qëllim presionin ndaj Teheranit për të hyrë në një marrëveshje, por nuk do të përbënte sulm të shkallës së plotë që do të mund të nxiste një hakmarrje të madhe.
Sulmi fillestar, i cili mund të vijë pas disa ditësh, nëse jepet autorizimi për të, do të vinte në shënjestër pak qendra ushtarake ose qeveritare, thanë personat e afërt me këtë çështje, sipas një raporti të gazetës së njohur amerikane, “The Wall Street Journal”.
Të enjten, presidenti amerikan sinjalizoi se vendi i tij do të vendoste për veprimet e ardhshme gjatë 10 ditëve në vijim, nëse Irani nuk pajtohet për të bërë marrëveshje bërthamore.
“Gjëra të këqija do të ndodhin”, nëse Teherani nuk bën pakt, tha Trumpi para pjesëmarrësve në takimin e Bordit të Paqes për Gazën. “Mund të na duhet që ta çojmë këtë një hap më tej, ose mund të mos na duhet një gjë e tillë. Ndoshta do të bëjmë një marrëveshje. Do ta merrni vesh ndoshta brenda dhjetë ditëve të ardhshme” – paralajmëroi ai.
Zyrtarë të lartë amerikanë u takuan këtë javë me negociatorë iranianë për bisedime. Uashingtoni dëshiron që t’i jepet fund punës bërthamore të Teheranit dhe të shohë kufizime ndaj programit iranian të raketave balistike si dhe ndaj mbështetjes për grupet e armatosura në rajon. Irani ka refuzuar ndonjë lëshim të gjerë dhe deri më tani ka ofruar vetëm koncesione modeste sa i përket programit bërthamor.
Zyrtarët iranianë kanë kërcënuar se do të kundërpërgjigjen me forcë maksimale ndaj çfarëdo niveli të sulmeve amerikane. Në një varg deklaratash të publikuara të martën në rrjete sociale, lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, tha se forcat e vendit të tij do të fundosnin një aeroplanmbajtëse amerikane dhe do ta godisnin ushtrinë amerikane “aq fort, sa nuk do të mund të ngrihet më”.
Ditëve të fundit, Shtetet e Bashkuara raportohet se kanë vazhduar që të dërgojnë drejt Lindjes së Mesme aeroplanë luftarakë F-35 dhe F-22. Rrugës është edhe aeroplanmbajtësja e dytë, e ngarkuar me aeroplanë sulmues./Nacionale