530 mijë persona janë regjistruar deri tash në procesin e regjistrimit të popullsisë në Kosovës, që ka nisur më 5 prill.
Një gjë të tillë e bëri të ditur kryeshefi i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati, në një konferencë për media.
“Deri më tani procesi ka shkuar sipas planit dhe parashikimeve që kemi bërë që në fillim. Deri dje janë regjistruar mbi 530 mijë qytetarë në Kosovë dhe janë regjistruar mbi 36 përqind e objekteve. Nuk kemi sfida madhore në terren, sepse një projekt i tillë kompleks mund të ketë sfida, duke filluar nga aplikacioni. Edhe stafi është stabilizuar këto ditë. Është ambientuar me zonat dhe regjistruesit tani kanë arritur atë kuotën që e kemi parashikuar, kemi një mesatare 7 anketa në ditë. Ka disa prej tyre që bëjnë nga dy apo tri, por ka edhe prej atyre që i tejkalojnë mesataren, Nëse vazhdon një dinamik e tillë e regjistrimit, atëherë do të arrijmë që të përfundojmë regjistrimin e popullsisë ashtu siç e kemi planifikuar - pra deri më 17 maj”, ka thënë Kastrati.
Ai ka thënë se procesi është duke u zhvilluar në të gjitha zonat e Republikës dhe në të janë duke marrë pjesë të gjitha komunitetet. Ai ka pranuar se në veri pjesëmarrja nuk është si në zonat e tjera, por ka thënë se shpreson që në javën e ardhshme do të ketë regjistrim edhe në atë pjesë.
“Të gjitha zonat në Kosovë dhe të gjitha komunitetet janë duke marr pjesë në regjistrim. Edhe komuniteti serb është duke marr pjesë në regjistrim në të gjitha zonat dhe komunat. Ka pasur një vonesë me staf regjistrues në komunat veriore por kemi angazhuar staf dhe tash është duke u regjistruar edhe komuniteti serb ne veri, jo në atë masën si në zonat e tjera por ka filluar një regjistrim dhe presim që në javët ne vazhdim te këtë regjistrim edhe në atë pjesë”, u shpreh ai.
Kastrati ka bërë thirrje që të gjithë qytetarët të regjistrohen aty ku janë banor rezident.