Për shumë familje shqiptare, mbyllja e muajit mbetet një mision i vështirë. Në Shqipëri, 32.9% deklarojnë se e kanë të vështirë të mbyllin muajin, ndërsa 13.4% e kanë këtë problem në nivelin më të rëndë, duke thënë se e përballojnë jetesën me shumë vështirësi.
Të mbledhura bashkë, gati gjysma e popullsisë, konkretisht 46.3%, deklaron se e përballon jetesën me vështirësi ose shumë vështirësi, sipas të dhënave të Eurostat, që Shqipërinë, janë të disponueshme për vitin 2023.
Me këtë nivel, Shqipëria renditet e dyta në Europë, pas Greqisë, ku vështirësitë për të mbyllur muajin prekin një pjesë edhe më të madhe të popullsisë, në 67% (35% shumë të vështirë dhe 32% të vështirë). Ndërsa në Bashkimin Europian, mesatarja është vetëm 17.6% për kategoritë “me vështirësi” dhe “me shumë vështirësi”, përkatësisht 11.2 dhe 6.4%, që i referohet vitit 2025.
Edhe në raport me rajonin, Shqipëria shfaqet në nivele të larta. Në Maqedoninë e Veriut përqindja e atyre që kanë vështirësi, ose shumë vështirësi të mbyllin muajin arrin në 43.8%, në Malin e Zi në 37.9% dhe në Serbi në 31.2%.
Pamundësia për të mbyllur muajin lidhet edhe me nivelin e pagave, që në Shqipëri mbetet ndër më të ulëtat në rajon.
Sipas të dhënave të publikuara më herët nga Monitor, paga mesatare bruto në Shqipëri arriti rreth 860 euro në muaj në vitin 2025.
Në të njëjtin vit, paga bruto ishte rreth 1,290 euro në Serbi, 1,245 euro në Bosnjë-Hercegovinë, 1,206 euro në Mal të Zi dhe rreth 1,100 euro në Maqedoninë e Veriut. Vetëm Kosova, kishte një pagë mesatare bruto më të ulët prej 713 eurosh në 2025-n.
Diferenca me Bashkimin Europian është edhe më e madhe: paga mesatare bruto vjetore për një punonjës me kohë të plotë në BE ishte rreth 39,800 euro në vitin 2024, ose rreth 3,317 euro në muaj.
Presioni mbi buxhetet familjare shtohet edhe nga niveli i çmimeve. Në vitin 2025, çmimet e ushqimeve në Shqipëri arritën në 102.9% të mesatares së Bashkimit Europian, duke e kaluar për herë të parë nivelin mesatar europian. Kjo e vendos Shqipërinë edhe në krye të rajonit për nivelin e çmimeve të ushqimeve, duke e bërë diferencën mes të ardhurave dhe kostos së jetesës një tjetër faktor që rëndon mbi familjet.