Se ende ekziston rreziku për mosorganizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, e tha edhe Komiteti Olimpik i Kosovës të mërkurën në mbledhjen e 17-të të Bordit Ekzekutiv, përcjell Gazeta Metro.
Siç ka njoftuar KOK-u, gjatë mbledhjes është diskutuar për takimin e fundit të Komitetit Organizativ (OCMG), si dhe për letrat e pranuara nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG).
Bordi Ekzekutiv është njoftuar se në javët në vijim pritet të mbahet një takim në Athinë me përfaqësuesit e ICMG-së. Në këtë takim, OCMG-ja pritet të përfaqësohet nga dy përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, dy të Komunës së Prishtinës dhe dy të KOK-ut. Në mbledhje është propozuar edhe krijimi i një programi për përgatitjen e federatave sportive për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, nismë kjo që buron nga Ligji për Lojërat Mesdhetare.
Rrezikun për humbjen e mundësisë për organizimin e Lojërave Mesdhetare e ka ngritur disa herë edhe i pari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili shkaktar kryesor për këtë po e sheh Albin Kurtin.
Ndërkohë, vetë Kurti të martën ka diskutuar për përgatitjet për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” me ambasadorin francez për Sportin, Damien Combredet-Blassel, ambasadorin e Francës në Kosovë, Jean-François Huchet, si dhe përfaqësues të organizimit të Lojërave Olimpike “Paris 2024” dhe organizatës France Sport Expertise.
Kurti ka bërë të ditur se në takim është diskutuar për bashkërendimin institucional, infrastrukturën e nevojshme dhe planifikimin e organizimit të garave.
“Morëm këshilla për veprimet dhe vendimet që duhet t’i kemi prioritet, përfshirë qeverisjen dhe menaxhimin, planifikimin e prokurimit dhe zbatimin”, ka deklaruar Kurti të martën.
Ndërkohë, në media është publikuar një letër të cilën e ka dërguar Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare e ku përmban shqetësime serioze lidhur me organizimin e Lojërave Mesdhetare.
Në letër ftohen për një takim në Athinë të Greqisë, mes Komitetit Ndërkombëtar dhe Komitetit Organizativ të formuar në Kosovë, në krye të të cilit është kryeministri Kurti. Megjithatë, ky takim nuk mund të zhvillohet pa u shlyer paraprakisht obligimet financiare të papaguara, të cilat Kosova i ka marrë përsipër.
“Përgjigjet tuaja gjithëpërfshirëse me shkrim për të gjitha çështjet e ngritura në letrën e ICMG-së të datës 21 shtator 2026 duhet t’i arrijnë ICMG-së jo më vonë se tri (3) ditë para mbërritjes së delegacionit në Athinë”, thuhej në letrën drejtuar Blerim Gashanit, të cilën e ka siguruar Vox Kosova.
Prishtina fitoi të drejtën për të pritur Lojërat Mesdhetare 2030 më 8 shtator 2023, në Asamblenë e Përgjithshme të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare në Heraklion të Greqisë. Përgatitjet për edicionin e vitit 2030 janë shënuar nga vonesa për shkak të mungesës së koordinimit midis niveleve të qeverisjes lokale dhe qendrore në Kosovë.