Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të mbajë sot, duke filluar nga ora 11:00, mbledhjen e radhës në zyrat e institucionit, ku pritet të shqyrtohen dhe miratohen disa vendime të rëndësishme në kuadër të përgatitjeve për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Mbledhja do të hapet nga kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ndërsa në rend dite janë paraparë çështje që lidhen me organizimin dhe administrimin e procesit zgjedhor.
Në kuadër të aktiviteteve të Zyrës, anëtarët e KQZ-së do të shqyrtojnë rekomandimin për akreditimin e grupit të dytë të organizatave vëzhguese, të cilat do të monitorojnë procesin zgjedhor.
Ndërkohë, Këshilli për Operacione Zgjedhore do të paraqesë për shqyrtim dhe miratim përbërjen e anëtarëve të ekipit të numërimit në qendrat komunale të numërimit, si dhe anëtarët e këshillave të vendvotimeve për pozitat e mbetura të paplotësuara.
Po ashtu, në mbledhje do të diskutohet dhe pritet të miratohet formula për ekipet mobile të Votimit me Nevoja të Veçanta (VPNV), si dhe lista e stafit rezervë të Komisioneve të Vendvotimeve (KVV) dhe stafit asistues në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës.
Vendimet që pritet të merren në këtë mbledhje konsiderohen të rëndësishme për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe përgatitjen teknike e organizative të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Në fund të takimit janë paraparë edhe diskutime për çështje të ndryshme që lidhen me aktivitetet e KQZ-së.