Remitencat vazhdojnë të mbeten një ndër shtyllat kryesore financiare për ekonominë e Kosova. Gjatë vitit 2025, qytetarët që jetojnë jashtë vendit kanë dërguar gjithsej rreth 1.4 miliardë euro, duke dëshmuar edhe një herë varësinë e madhe të vendit nga diaspora, shkruan Gazeta Metro.
Pjesa dërrmuese e këtyre mjeteve vjen nga Gjermania, e cila kryeson bindshëm me 547.4 milionë euro, apo 39% të totalit. Ky dominim lidhet drejtpërdrejt me numrin e madh të emigrantëve kosovarë që jetojnë dhe punojnë në këtë shtet.
Në vendin e dytë renditet Zvicra me 250.2 milionë euro apo 18%, duke mbetur një tjetër burim kyç i remitencave. Ndërkohë, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ardhur 102.5 milionë euro ose 7%.
Kontribut të konsiderueshëm kanë dhënë edhe vende të tjera evropiane si Austria me 59.3 milionë euro (4%), Italia me 54.3 milionë euro (4%), si dhe Franca, Suedia dhe Belgjika, secila me rreth 3% të remitencave.
Ndërkohë, remitencat nga Mbretëria e Bashkuar dhe Norvegjia përbëjnë pjesë më të vogël, por ende të rëndësishme në totalin e përgjithshëm.
Të dhënat e publikuara nga Banka Qendrore e Kosovës tregojnë se remitencat vazhdojnë të jenë një burim jetik për konsumin familjar dhe stabilitetin ekonomik në vend. Megjithatë, niveli i lartë i varësisë nga këto të ardhura ngre pikëpyetje për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe nevojën për krijimin e burimeve të brendshme të rritjes./gazetametro.net