Duke pritur në audiencë pjesëmarrësit e konferencës “Sot kush është i afërmi im?”, Papa bën thirrje për kura të aksesueshme për të gjithë, “për të shmangur që një padrejtësi të bëhet farë konfliktesh”. “Të kurosh humanitetin e tjetrit – nënvizon Ati i Shenjtë – ndihmon të jetosh njerëzimin tënd”; edhe Kisha mund të japë një kontribut të madh në luftimin e pabarazive në fushën e shëndetësisë.
Paqja bazohet në luftën kundër pabarazive, bazohet në mbrojtjen e dinjitetit të më të cenuarve të shoqërisë, të cilët shpesh konsiderohen si “mbetje”, e të cilët veçanërisht i krishteri është i thirrur t’i vështrojë për të ndërtuar një shoqëri të drejtë dhe për t’u dhënë jetë “komuniteteve solidare” të karakterizuara nga mirëqenia e të gjithëve. Këto janë konceptet e forta të reflektimit të Papës, i cili sot, më 18 mars, në Sallën e Vogël pranë Sallës Pali VI, përpara audiencës së përgjithshme, priti pjesëmarrësit e Konferencës “Sot kush është i afërmi im? – Today who is my neighbor?”.
Një nismë e promovuar nga Këshilli i Konferencave Episkopale të Evropës, nga Organizata Botërore e Shëndetësisë – Rajoni i Evropës dhe nga Konferenca Episkopale Italiane. Takimi zhvillohet në ditën kur publikohet "Raporti i dytë evropian i OBSH-së mbi gjendjen e barazisë në shëndetësi".
Farë konfliktesh
Papa bën thirrje menjëherë për një ndryshim të hapit përballë rritjes së pabarazive në fushën e shëndetësisë, duke lëshuar një alarm të veçantë për shëndetin mendor të njerëzve, sidomos të të rinjve, “sepse plagët e padukshme të psikikës – pohon Ati i Shenjtë – nuk janë më pak të rënda se ato të dukshmet”.
Shëndeti nuk mund të jetë një luks për pak njerëz, por është një kusht thelbësor për paqen sociale. Një mbulim a sigurim shëndetësor universal nuk është vetëm një objektiv teknik për t'u arritur, është mbi të gjitha një imperativ moral për shoqëritë që duan ta quajnë veten të drejta. Mbrojtja dhe kujdesi për shëndetin duhet të jenë të aksesueshme, pra të mundshme për më të cenuarit, sepse kjo kërkohet nga dinjiteti i tyre dhe gjithashtu edhe për të shmangur që një padrejtësi të bëhet farë konfliktesh.
Të përjashtuarit, shtylla të një shoqërie të drejtë
“Cili është sot i afërmi im?” është pyetja e marrë nga Ungjilli sipas Lukës që vazhdon të sfidojë njeriun bashkëkohor. Papa Leoni nxit të shkojmë drejt tjetrit, sidomos drejt atij që vuan, edhe pse “distanca, shpërqendrimi dhe mësimi me pamjet e dhunës dhe të vuajtjeve të të tjerëve na shtyjnë drejt indiferencës”.
Çdo burrë dhe grua, veçanërisht i krishteri, është i thirrur të drejtojë vështrimin nga ai që vuan, nga dhimbja e njerëzve të vetmuar, nga ata që për arsye të ndryshme përjashtohen dhe konsiderohen si “mbetje”, sepse pa ta nuk mund të ndërtojmë shoqëri të drejta, në përmasa njerëzore.
Të mjekohet njerëzimi
“Është iluzion të mendosh – thekson Papa – se, duke i injoruar këta vëllezër e motra, është më e lehtë të arrihet lumturia”. Nuk mund të jemi egoistë; e mira arrihet vetëm në bashkim.
Vetëm së bashku mund të ndërtojmë komunitete solidare dhe të afta të kujdesen për secilin, ku zhvillohen mirëqenia dhe paqja, në dobi të të gjithëve. Të kurosh njerëzimin e të tjerëve ndihmon të jetosh njerëzimin tënd.
Dimensioni “samaritan”
Në përfundim të fjalimit të tij, Papa Leoni thekson se Kisha, duke pasur një rol publik, është gjithmonë “në shërbim të promovimit të njeriut dhe të vëllazërisë universale” dhe, në bashkëpunim me organizatat ndërkombëtare, mund të ndikojë në mënyrë vendimtare në luftën kundër “pabarazive në fushën shëndetësore, në favor të popullsive më të cenueshme”.
Prandaj rinovoj nxitjen, që bëhet një thirrje e fortë, që «në stilin tonë të jetës së krishterë të mos mungojë kurrë kjo përmasë vëllazërore, “samaritane”, përfshirëse, e guximshme, e angazhuar dhe solidare, e cila ka rrënjën e saj më të thellë në bashkimin tonë me Zotin, në besimin në Jezu Krishtin».