Sot skadon afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, ndërsa ende nuk është bërë e ditur se kur do të vazhdojë seanca konstituive e Legjislaturës së XI-të, e cila u ndërpre të enjten.
Seanca u ndërpre me kërkesë të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili kërkoi kohë shtesë për konsultime me përfaqësuesit e partive politike, me synimin për arritjen e një marrëveshjeje lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit.
Kërkesa e Kurtit u kundërshtua nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), megjithatë kryesuesi i seancës, Avni Dehari, vendosi ndërprerjen e punimeve.Para ndërprerjes, Kuvendi përfundoi dy pikat e para të rendit të ditës, duke miratuar formimin e Komisionit për Verifikimin e Mandateve dhe duke realizuar betimin e deputetëve të rinj.
Pas konstatimit se mandatet e deputetëve ishin në përputhje me legjislacionin në fuqi, deputetët bënë betimin solemn. Betimin e dhanë edhe deputetët e Listës Serbe.Deri më tani nuk ka njoftim zyrtar se kur do të thirret vazhdimi i seancës konstituive. Nëse Kuvendi nuk arrin të përmbyllë procesin e konstituimit brenda afatit kushtetues, vendi mund të hyjë në një fazë të re të paqartësisë politike dhe procedurale.