Pasi Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare kaloi në dy dhomat e Kongresit të SHBA-së, edhe presidenti Donald Trump e nënshkroi këtë dokument të rëndësishëm që ndan mbi 900 miliardë dollarë në sektorin e mbrojtjes. Përpos kësaj, edhe Kosova ka një vend në këtë ligj kyç, përcjell Gazeta Metro.
Fillimisht kishte raportime për këtë iniciativë, mirëpo nuk ishte e qartë nëse legjislacioni do të kalonte në Kongres e pastaj në Shtëpinë e Bardhë.
Presidenti Trump e nënshkroi mbrëmë këtë ligj, ku Ballkani Perëndimor gjithashtu e ka pjesën e vet.
Sa i përket Kosovës dhe Serbisë, pjesët kryesore nga ky ligj kërkojnë që SHBA-ja të angazhohet për normalizim të marrëdhënieve me qëllim njohjen reciproke, duke u bazuar në Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit të vitit 2023. Kongresi i SHBA-së kërkon që Kosova dhe Serbia të fillojnë zbatimin e pikave të marrëveshjes.
Më tej, ky ligj kërkon nga SHBA-ja që të fillojë me iniciativa që forcojnë marrëdhëniet mes palëve, duke refuzuar çdo ide për ndarje, shkëmbim territoresh apo ndryshim kufijsh mbi baza etnike.
Gjithashtu, ky ligj determinon forcimin e mbështetjes amerikane për demokracitë e Ballkanit Perëndimor dhe për procesin e anëtarësimit të tyre në Bashkimin Europian.
Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare po ashtu mbështet zgjerimin e NATO-s në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë edhe perspektivën e anëtarësimit të Kosovës në Aleancën Veriatlantike.
Administrata Trump është më pak e fokusuar në çështjet e Europës dhe duket se përqendrimin po e zhvendos tërësisht drejt Azi-Paqësorit, kështu që edhe pikat brenda këtij ligji jo domosdoshmërisht do të zbatohen ose do t’u jepet rëndësi e veçantë. Megjithatë, fryma brenda Kongresit reflektohet në këtë ligj, veçanërisht për mbështetjen e dialogut Kosovë-Serbi të lehtësuar nga Bashkimi Europian./gazetametro.net