Deklarimi i ministrit për Komunitet dhe Kthime, Nenad Rasic, për 24 hektarët e falur me ‘hatër’ nga Kurti për Manastirin e Deçanit, i bëri ‘llugë’ Lëvizjen Vetëvendosje. Kontradikta pati në deklarimet mes zëdhënësit për media, Arlind Manxhuka, dhe deputetit të Kuvendit nga kjo parti, Adnan Rrustemi, shkruan Gazeta Metro.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arlind Manxhuka, ka reaguar pasi ministri Nenad Rashiq ka thënë se “Kurti për shkak të tij ia ka dhënë 24 hektarë Manastirit të Deçanit.
Manxhuka ka shkruar se Rashiq këtë e ka ngatërruar me pranimin e kërkesës së tij nga Kurti për vizitë të Patriarkut Porfirije, për Krishtlindjet ortodokse të vitit 2023. Ai tha se për Manstirin e Deçanit Kurti e ka zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
S’shkoi shumë kohë deri në deklarimin e Rrustemit.
Deputeti i Lëvizja Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka shprehur qëndrim ndryshe nga VV’ja ku nuk e ka mohuar deklaratën e ministrit Nenad Rashiq për kryeministrin Albin Kurti lidhur me transferimin e 24 hektarëve tokë në pronësi të Manastiri i Deçanit. Rrustemi tha se deklarata e Rashiqit nuk duhet interpretuar si veprim kundër Listës Serbe, por si përpjekje të Kurtit për ta faktorizuar politikisht Rashiqin.
Ai shtoi se angazhimi për shtetin kërkon të zvogëlohet ndikimi i Listës Serbe dhe të forcohen deputetët serbë që e njohin Republikën e Kosovës.
Kryeministri i vendit refuzoi të ndalet për t’iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me çështjen, mirëpo la të kuptohet se mund t’i referohemi ‘arsyetimeve’ të Manxhukës.
Kurti nuk deshi të sqaronte më shumë, duke përmendur reagimin e zëdhënësit të Qeverisë, Arlind Manxhukës dhe vetë ministrit.
“Ka folur tashmë zëdhënësi ynë, Arlindi, e po ashtu e ka sqaruar edhe ministri”, tha ai.
Deklarimet ndryshe-ndryshe, kontradiktore, të zyrtarëve të pushtetit veçse rrisin dozën e dyshimit mbi vërtetësinë e ‘arsyetimeve’ që po thuhen mbi çështjen me 24 hektarët e dhënë Manastirit./gazetametro.net