G7 shqyrton lirimin e rezervave emergjente të naftës për të frenuar rritjen e çmimeve
G7 shqyrton lirimin e rezervave emergjente të naftës për të frenuar rritjen e çmimeve 09.03.2026 | 03:13
Ministrat e Financave të vendeve të G7 do të diskutojnë sot ( 9 mars 2026) në një mbledhje urgjente lirimin e rezervave strategjike të naftës, një përpjekje kjo për të stabilizuar tregjet energjetike pas rritjes së çmimeve të naftës të shkaktuar nga konflikti në Gjirin Persik.
 
Në takimin online, do të marrë pjesë edhe drejtori ekzekutiv i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), Fatih Birol, raporton Financial Times.
 
Diskutimi pritet të fokusohet te ndikimi i luftës me Iranin në tregjet globale të energjisë.
 
Të paktën tre vende të G7, përfshirë Shtetet e Bashkuara, kanë shprehur mbështetje për një lirimin e koordinuar të naftës nga rezervat strategjike.
 
Disa zyrtarë amerikanë vlerësojnë se një lirim në shkallë 300-400 milionë fuçi do të ishte i përshtatshëm. Kjo përfaqëson rreth 25%-30% të rezervave strategjike të përbashkëta të vendeve anëtare të IEA-së.
 
32 vendet anëtare të IEA-së mbajnë rezerva strategjike si pjesë e një sistemi kolektiv emergjent të krijuar për t’u përballur me krizat e furnizimit dhe rritjet e papritura të çmimeve të energjisë.
 
Rritje e çmimeve të naftës
 
Çmimet e naftës kanë shënuar rritje të ndjeshme që nga fillimi i konfliktit.
 
Referenca ndërkombëtare Brent u rrit deri në 116.71 dollarë për fuçi gjatë tregtimit në Azi të hënën, përpara se të zbriste në rreth 110.85 dollarë, ende rreth 19% më e lartë.
 
Ndërkohë, nafta amerikane West Texas Intermediate (WTI) u rrit përkohësisht në 116.45 dollarë për fuçi, përpara se të stabilizohej rreth 108 dollarë.
 
Rritja e çmimeve ka pasur ndikim të menjëhershëm edhe te karburantet. Në Shtetet e Bashkuara, çmimi mesatar i benzinës arriti në 3.45 dollarë për gallon, nga 2.98 dollarë vetëm një javë më parë.
 
Analistët paralajmërojnë se rritja e shpejtë e çmimeve të energjisë mund të shkaktojë një valë të re inflacioni dhe të dëmtojë rritjen ekonomike globale. Vendet më të ekspozuara ndaj goditjes së çmimeve janë importuesit e mëdhenj të naftës si Kina, India, Koreja e Jugut, Japonia, Gjermania, Italia dhe Spanja.
 
Rezervat strategjike të naftës u krijuan në vitin 1974, pas embargos arabe të naftës që shkaktoi mungesa të mëdha karburanti dhe rritje të fortë të çmimeve në vendet perëndimore.
 
Që nga krijimi i IEA-së, rezervat janë përdorur kolektivisht pesë herë, përfshirë edhe në vitin 2022, pas pushtimit rus të Ukrainës.
 
Diskutimet për lirimin e rezervave vijnë në një moment kur presidenti amerikan Donald Trump përballet me presion të madh politik për të frenuar rritjen e çmimeve të energjisë dhe inflacionin.
 
Megjithatë, në një postim në platformën Truth Social, Trump minimizoi shqetësimet për rritjen e çmimeve të naftës, duke thënë se ato janë një kosto e vogël krahasuar me sigurinë globale dhe eliminimin e kërcënimit bërthamor të Iranit.
 
Ndërkohë, tregjet financiare kanë reaguar negativisht ndaj zhvillimeve. Bursat në shumë vende të Azisë pësuan rënie të forta, ndërsa edhe tregjet amerikane pritet të hapen me humbje të ndjeshme.
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Pastë me spinaq e djath Zieni pastat. Përderisa zihen pastat, përgatisni sosin. Në një tigan të thelle shkrni buterin,
Ëmbëlsirë e shpejtë nga mollët dhe arrat: Desert perfekt i gatshëm për gjysmë ore! Kombinimi i mollëve dhe i arrave përbën shije të vërtetë.
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Supë me patate dhe selino Selinoja është një perime e mrekullueshme e njohur gjërësisht për vetitë detoksifikuese të
Tost dietik integral me gjethe selinoje Mënyra e përgatitjes: Përhapni gjalpin e kikirikut mbi 2 fetat e bukës.