Imzot Arjan Dodaj: shenjtёrorja e Nënë Terezёs nё Tiranё, vend shtegtimi, besimi, reflektimi e vëllazërimi
Imzot Arjan Dodaj: shenjtёrorja e Nënë Terezёs nё Tiranё, vend shtegtimi, besimi, reflektimi e vëllazërimi 30.09.2022 | 03:40
Kryedioqeza e Tiranё-Durrёsit organizoi njё moment tё bukur lutjeje pёr paqe, me pjesёmarrjen e madhe tё Popullit tё Zotit. Në vitin e shpalljes së Tiranës “Kryeqytet i të Rinjve për Evropën”, mori pjesё e edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Veliaj, i cili njoftoi se qeveria shqiptare ka miratuar mё 5 shtatorin e kaluar, konkretisht, dhёnien e tokës për ndërtimin e shenjtërores së parë në Shqipëri, kushtuar shenjtes sonë të dashur, Nënë Terezës
Kryedioqeza e Tiranё-Durrёsit organizoi, këtyre ditëve, njё moment lutjeje pёr paqen, me njё pjesёmarrje tё madhe tё popullit tё Zotit dhe klerit tё kёsaj Kishe vendore. Ngjarja, festivali i Lutjes dhe  Paqes, u mbajt në Amfiteatrin pranë Liqenit Artificial të Tiranës, me çaste liturgjike, lutjen e rruzares dhe adhurimin Eukaristik, kryesuar nga imzot Arjan Dodaj, kryeipeshkёv i Tiranё-Durrёsit.
 
Në këtë veprimtari publike, në kuadrin e vitit të shpalljes së Tiranës “Kryeqytet i të Rinjve për Evropën”, mori pjesё e përshëndeti tё pranishmit edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Erion Veliaj, i cili njoftoi se qeveria shqiptare dhe konkretisht Bashkia e Tiranës e mbajnë premtimin për dhënien e një toke për ndërtimin e shenjtërores së parë në Shqipëri, kushtuar shenjtes sonë të dashur, Nënë Terezës. Kujtojmё se Kisha Katedrale e Vaut të Dejёs ёshtё Kisha e parё nё trevat shqiptare, qё mban emrin e shenjtes Ganxhe Bojaxhiu.
 
Kryebashkiaku Erion Veliaj pohoi se ky është një lajm i shumëpritur nga të gjithë shqiptarët. “Prej kohësh kemi pasur një ëndërr të madhe për të vendosur në Tiranë një Shenjtërore të Nënë Terezës. Nuk besoj se ka moment më të mirë – 30 vite pasi Shqipëria ka vendosur marrëdhëniet me Vatikanin, 25 vite pas kalimit në amshim të Nënë Terezës, Shën Terezës, gruas me trupin e vogël, por me veprën e madhe - për t’i kremtuar të gjitha këto. Sot fillojmë rrugëtimin drejt ndërtimit të Shenjtores së Nënë Terezës mbi kodrat e Liqenit Artificial, në zonën e njohur si “Lapidari”, ndaj është vërtet një bekim i madh për qytetin tone”, sqaroi Veliaj.
 
Kryebashkiaku shtoi se Tirana ka nevojë për një hapësirë ku qytetarët e saj mund të gjejnë një çast për të reflektuar. “Një vend shtegtimi, besimi, reflektimi dhe vëllazërimi për Tiranën tonë; një metropol, në të cilin pavarësisht se ka ngut, nxitim, garë e zell, në atë majë kodre duhet të ketë edhe një vend për të reflektuar, për t’u lidhur me gjërat e shenjta dhe të dlira”, u shpreh Veliaj. Mbi kёtё ngjarje nё mikrofonin e redaksisё shqipe tё Radio Vatikanit-Vatican News flet kryeipeshkvi i Tiranё-Durrёsit, imzot Arjan Dodaj
 
 
 
Këto ditë, së bashku me popullin e Zotit, veçanërisht me atë të Arqidioqezës Tiranë-Durrës, kemi pasur një ngjarje të bukur lutjeje, pra Festivalin e Lutjes dhe të Paqes, ku si populli i Hyjit, në këtë Vigjilje të Madhe, jemi mbledhur për herë të parë në një kontekst publik, siç është hapësira e Amfiteatrit, te kodrat e liqenit, në Tiranë. Kjo përvojë ka qenë shumë përfshirëse, e udhëhequr nga Liturgjia dhe nga lutja tradicionale e rruzares, nga Adhurimi Eukaristik dhe nga dëshmi të ndryshme me përfshirjen e një mase të madhe populli shumë entuziast.
 
Në të njëjtën kohë, për të përshëndetur në këtë kontekst publik, në këtë vit të shpalljes së Tiranës “Kryeqytet i të Rinjve për Evropën”, erdhi të na përshëndesë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Erion Veliaj. Ai nënvizoi premtimin e mbajtur nga qeveria shqiptare dhe konkretisht Bashkia e Tiranës, në lidhje me Tokën e Premtuar, për ndërtimin e shenjtërores së parë në Shqipëri, dedikuar Shenjtes sonë të dashur, Nënë Terezës.
 
Ky premtim në fakt, i ishte bërë Papa Françeskut, në vizitën e Kryeministrit Edi Rama, në nëntorin e vitit të kaluar dhe qeveria shqiptare me rastin e festës së Nënë Terezës, më 5 shtator, aprovoi në mënyrë zyrtare, ku nëpërmjet një memorandumi midis meje si Arqipeshkëv i Tiranë – Durrësit dhe Kryetarit të Bashkisë, na u dhurua kjo pjesë e tokës, mbi kodrat e liqenit nga ku pikërisht do të ndërtohet e do të shikohet kjo Shenjtore, dedikuar shenjtes sonë. Për këtë falënderojmë Zotin, që përsëri institucionet konfirmuan, jo vetëm këtë vullnet, por edhe këtë arritje së bashku, të këtij memorandumi.
 
Lusim Zotin e në të njëjtën kohë u kërkojmë ndihmë tashmë të gjithë besimtarëve, jo vetëm katolikë, por edhe vëllezër e motra shqiptarë që identifikohen në figurën e madhe të shenjtes sonë shqiptare, sepse së bashku mund t’i japim jetë kësaj përvoje, që kërkon shumë sakrificë e në të njëjtën kohë, kësaj strukture që do të jetë një mesazh, jo vetëm për Shqipërinë, por në këtë botë kaq të përgjakur, të përleshur, të përçarë nga luftërat e mosmarrëveshjet, do të jetë një mesazh paqeje nëpërmjet figurës dhe misionit që Nënë Tereza ka demonstruar, përjetuar e dëshmuar me ecjen e jetën e saj në mbarë botën. Ju falënderoj për këtë vëmendje, që edhe ju po i jepni këtij eventi të madh e kërkoj hirin e Zotit që t’ju shoqërojë me dashurinë dhe me bekimin e Tij!/Radio Vatikani
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Pastë me spinaq e djath Zieni pastat. Përderisa zihen pastat, përgatisni sosin. Në një tigan të thelle shkrni buterin,
Ëmbëlsirë e shpejtë nga mollët dhe arrat: Desert perfekt i gatshëm për gjysmë ore! Kombinimi i mollëve dhe i arrave përbën shije të vërtetë.
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Supë me patate dhe selino Selinoja është një perime e mrekullueshme e njohur gjërësisht për vetitë detoksifikuese të
Tost dietik integral me gjethe selinoje Mënyra e përgatitjes: Përhapni gjalpin e kikirikut mbi 2 fetat e bukës.