Faza e grupeve në Kupën e Botës 2026 vazhdon sot me katër ndeshje të rëndësishme, ndërsa në skenë zbresin disa prej kombëtareve që konsiderohen favorite për të avancuar në turne.
Vëmendja më e madhe do të jetë në Grupin I, ku Franca përballet me Senegalin në ndeshjen e saj të parë në kampionat. Përfaqësuesja franceze synon ta nisë me tre pikë rrugëtimin drejt fazës së eliminimit direkt, ndërsa Senegali kërkon të tregojë forcën e futbollit afrikan dhe të befasojë një nga pretendentët kryesorë për trofeun.
Në takimin tjetër të grupit, Norvegjia do të sfidojë Irakun. Interesi kryesor mbetet te ylli i sulmit norvegjez, Erling Haaland, i cili pritet të jetë arma kryesore e skuadrës në debutimin e saj në këtë edicion të Botërorit.
Në Grupin J, kampionia në fuqi Argjentina nis mbrojtjen e titullit kundër Algjerisë. Argjentinasit hyjnë në garë me objektivin për të përsëritur suksesin e katër viteve më parë, ndërsa vëmendje të veçantë tërheq paraqitja e Lionel Messit, i cili mund të jetë në turneun e tij të fundit të madh me fanellën kombëtare.
Po në këtë grup, Austria do të masë forcat me Jordaninë. Për jordanianët kjo paraqitje ka rëndësi historike, pasi shënon debutimin e tyre në Kupën e Botës.
Sipas kalendarit zyrtar, Francë–Senegal luhet nga ora 21:00, Irak–Norvegji në mesnatë (00:00), Argjentinë–Algjeri në orën 03:00, ndërsa Austria–Jordani në orën 06:00. Të katër përballjet pritet të sjellin emocione dhe të japin sinjalet e para për rivalitetin në grupet përkatëse./rtk