Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Zotit , Papa bekon mbi 2.600 sportistët e rinj që marrin pjesë në ngjarjen e parë olimpike të organizuar në kontinentin afrikan, nga 1 deri më 13 nëntor. Ati i Shenjtë kujton gjithashtu misionarët françeskanë të lumturuar në Savannah të Xhorxhias (SHBA) dhe shpreh përkrahjen për Misionin me të varfërit, të organizuar në Romë nga familjet françeskane. Në fund, fton të gjithë të luten vdekurit, “veçanërisht për ata që askush nuk i kujton”
Në përshëndetjet e tij në përfundim të lutjes së Engjëllit të Zotit, sot, më 1 nëntor, me rastin e solemnitetit të të Gjithë Shenjtërve, Papa Leoni XIV u drejtoi një përshëndetje dhe bekim mbi 2.600 sportistëve të cilët, nga 31 tetori deri më 13 nëntor, marrin pjesë në Lojërat Olimpike për të Rinj në Dakar të Senegalit.
Sportistë të rinj, të moshës 15 deri në 18 vjeç, nga 204 komitete olimpike kombëtare, përfshirë edhe Ekipin Olimpik të Refugjatëve, janë mbledhur për të marrë pjesë në “ngjarjen e parë olimpike të organizuar në kontinentin afrikan”.
Duke iu drejtuar këtyre sportistëve të rinj, Papa ripohoi atë që kishte theksuar një ditë më parë, të shtunën më 31 tetor, gjatë audiencës me basketbollistët e ekipeve amerikane të Notre Dame dhe Villanova, përkatësisht se sporti është një mjet bashkëpunimi dhe përcjelljeje vlerash.
“Përveç garave, këto Lojëra përfshijnë takime edukative dhe kulturore, me qëllim promovimin e vlerave olimpike dhe njohjen mes të rinjve nga e gjithë bota. Ja pra, një tjetër shenjë shprese që vjen nga bota e sportit! I përshëndes dhe i bekoj me gjithë zemër të gjithë pjesëmarrësit”.
Dëshmia e misionarëve të lumë, “martirëve të Xhorxhias”
Duke e kthyer vështrimin drejt vendit të tij të lindjes, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Papa Leoni XIV kujtoi pas lutjes mariane edhe ceremoninë e lumturimit, të kremtuar në Savannah, të fretërve françeskanë, të njohur si “martirët e Xhorxhias”.
Bëhet fjalë për Pedro da Corpa-n dhe katër shokët e tij, të vrarë për shkak të fesë në vitin 1597, gjatë misionit të tyre mes popullsisë vendase Guale. Ceremonia e lumturimit u kryesua nga kardinali Frank Leo, kryeipeshkëv metropolit i Torontos dhe i dërguar i posaçëm i Papës, në praninë e qindra besimtarëve.
“Me origjinë nga Spanja, ata iu përgjigjën me bujari thirrjes së Zotit për të ungjillëzuar popujt e Amerikës, deri në dhurimin e jetës së tyre. Le të kërkojmë ndërmjetësimin e këtyre martirëve pranë Zotit për të gjithë misionarët e Ungjillit”.
Misioni i françeskanëve për të varfërit e Romës
Ndër përshëndetjet e Papës ishte edhe ajo për të gjithë ata që, nga data 8 deri më 15 nëntor, do të marrin pjesë në Misionin me të varfërit në Romë. Kjo nismë organizohet nga familjet françeskane, me rastin e 800-vjetorit të kalimit në amshim të Shën Françeskut të Asizit, në bashkëpunim me Caritas-in dioqezan.
Në Romë do të mblidhen rreth 150 fretër, të cilët më pas do të ndahen në grupe për të vizituar dhe takuar njerëzit që përballen me varfërinë në Romë, në burgje, në periferi dhe në zonat e prekura nga emergjenca e strehimit. Papa u drejtoi të gjithëve përshëndetjen e tij:
“Përgëzoj bijtë e Shën Françeskut, të cilët, përmes kësaj nisme, i vendosin të varfërit në qendër, ashtu siç bënte Zoti Jezus dhe ashtu siç bëri Shën Françesku i Asizit”.
Ati i Shenjtë Leoni XIV shprehu gjithashtu mirënjohjen për institucionet civile dhe forcat e rendit, “që kanë dhënë bashkëpunimin e tyre të plotë”.
Lutje për të ndjerët, veçanërisht për ata që askush nuk i kujton
Në fund të lutjes së Engjëllit të Zotit, Papa Leoni XIV u përshëndet me turmën e madhe të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, mes të cilëve ndodheshin edhe besimtarët siro-malabarë dhe barinjtë e tyre. Ai kujtoi se komunitetet e tyre po zhvillohen në të gjithë Evropën.
Një mendim i veçantë iu kushtua edhe pjesëmarrësve në aktivitetin sportiv “Corsa dei Santi” (Vrapimi i Shenjtërve), organizuar nga Misionet Don Bosco, për të promovuar sportin si një “përvojë edukative”.
Në përfundim, Ati i Shenjtë Prevost kujtoi kremtimin e së nesërmes, më 2 nëntor, në Varrezat Verano të Romës, me rastin e Përkujtimit të të Gjithë Besimtarëve të Ndarë nga Jeta.
“Gjatë këtyre ditëve, le ta ndiejmë veten të bashkuar, në bashkësinë e shenjtërve, me familjen e panumërt të vëllezërve dhe motrave që na kanë paraprirë në shtegtimin tokësor, dhe të lutemi për të vdekurit, veçanërisht për ata që askush nuk i kujton”./Radio Vatikani