Nga: Saim Tahiraj
Ky Kuvend i Kosovës e ka votuar këtë Kushtetutë që e kemi sot, me të cilën jemi shtet laik. Athua, a e kuptojnë këta/këto deputetë e deputete se çfarë nënkuptojmë me shtet laik? Nëse jo, atëherë duhet të mbahet një ligjëratë nga profesionistët e fushës, në mënyrë që ta mësojnë saktësisht se çfarë është shteti laik.
Kjo vlen edhe për drejtuesit e të gjitha institucioneve, që nga kryeministri, presidentja e deri te i fundit.
Na është bërë Kuvendi i Kosovës si xhamia e Sinan Pashës. Njësoj janë edhe institucionet e tjera të Kosovës. Mangu u ka mbetur vetëm nga një hoxhë që t’ua drejtojë ritet fetare.
Kuvendi e ka tani mulla Osmanin, i cili veç ka filluar me këtë agjendë dhe me misionin për të cilin ka ardhur në Kuvendin e Kosovës.
Nuk dallojnë as partitë politike; të gjitha, pa dallim. Pikërisht nga këto parti politike përbëhet edhe Kuvendi i Kosovës dhe institucionet e tjera.
Cili është mesazhi që po ua dërgojmë miqve tanë ndërkombëtarë me këto veprime?
Ku mbetën kultura, tradita dhe zakonet tona? I harruat kaq shpejt?
Ky rrugëtim që keni nisur po ju çon drejt një shteti religjioz, ku kjo Kushtetutë po zëvendësohet me sheriat, njësoj si në Kandahar.
A thua, a ka kush ta mbrojë këtë Kushtetutë që e ka Kosova si shtet laik, apo ka mbaruar çdo gjë?
Uroj që në institucionet e shtetit të kenë mbetur aq shqiptarë me gjak, zemër dhe shpirt shqiptari, sa të dalin në mbrojtje të Kushtetutës dhe të shqiptarizmit në përgjithësi.
Nëse jo, atëherë popullit i ka mbetur të dalë dhe ta ndalojë këtë rrugëtim vetëvrasës për shtetin laik dhe shqiptarizmën në përgjithësi./Bota Sot