Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka përkujtuar 36-vjetorin e shpalljes së Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990, duke e cilësuar atë si aktin historik që vendosi themelet juridike dhe politike të shtetësisë së Kosovës.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, LDK theksoi se Deklarata u miratua në rrethana të jashtëzakonshme, kur Kosova ndodhej nën presion të madh politik dhe ushtarak nga regjimi serb.
“Në rrethana jashtëzakonisht të vështira, nën rrethim ushtarak dhe presion të ashpër nga regjimi serb, 114 delegatë të Kuvendit të atëhershëm të Kosovës e shpallën Kosovën si njësi të barabartë dhe të pavarur brenda federatës së asaj kohe, duke shprehur qartë vullnetin e palëkundur të popullit për liri, pavarësi dhe demokraci”, thuhet në reagimin e partisë.
LDK vlerësoi se lëvizja politike e udhëhequr nga ish-presidenti Ibrahim Rugova ishte vendimtare në konsolidimin e aspiratës për shtetësi dhe në sigurimin e mbështetjes ndërkombëtare.
“Lëvizja gjithëpopullore e Kosovës, e prirë nga Presidenti Historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, unifikoi popullin rreth kësaj kauze, vuri bazat juridike e institucionale të shtetësisë si dhe fitoi përkrahjen e botës demokratike. Këto përpjekje epike u pasuan nga lufta çlirimtare e popullit të Kosovës dhe ndërhyrja e NATO-së, të cilat sollën përfundimisht lirinë në Kosovë”, thuhet më tej.
Në këtë përvjetor, LDK shprehu mirënjohje për delegatët e Kuvendit të 2 Korrikut, duke vlerësuar rolin e tyre në artikulimin e vullnetit politik të qytetarëve për liri dhe pavarësi.
Partia theksoi se Deklarata e 2 Korrikut mbetet një gurthemel në historinë moderne të Kosovës dhe një dëshmi e orientimit strategjik të vendit drejt integrimit në NATO, Bashkimin Evropian dhe ruajtjes së miqësisë së përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.