Bashkimi Evropian shprehu keqardhje që partitë politike në Kosovë nuk identifikuan një figurë unifikuese për kandidat për president të vendit, duke bërë që shteti të organizojë zgjedhjet e treta në më pak se një vit e gjysmë.
Një zëdhënës i BE-së ka deklaruar se blloku evropian vazhdimisht u ka bërë thirrje të gjithë aktorëve politikë që të sigurojnë stabilitet institucional.
“Është urgjente për Kosovën që të forcojë dialogun ndërpartiak për të siguruar funksionimin efikas të institucioneve dhe për të mos humbur mundësi që u sjellin përfitime qytetarëve, përfshirë ato nga Plani i Rritjes”, tha zëdhënësi për Rel.Deputetët e Kuvendit të Kosovës dështuan që të zgjedhin një president të ri të vendit brenda afatit kushtetues dhe, në bazë të aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi u shpërnda më 28 prill.
Tani, ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, pas takimitme partitë politike – që do të mbahet sot – do të duhet të shpallë datën e zgjedhjeve, që duhet të mbahen brenda 45 ditësh.Janë vetëm dy data kur mund të mbahen zgjedhjet: 31 maj dhe 7 qershor.
Natën e 27 prillit, Lëvizja Vetëvendosje në pushtet tërhoqi dy kandidaturat partiake, përkatësisht emrin e Glauk Konjufcës dhe Fatmire Mulhaxha Kollçakut, dhe më pak se një orë më vonë prezantoi dy kandidate për presidente, që të dyja aktiviste për të drejtat e njeriut: Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha.Por, partitë opozitare nuk morën pjesë në seancën plenare që nisi mbrëmjen e 27 prillit dhe përfundoi mesnatën e 28 prillit – kur ishte edhe afati i fundit për zgjedhjen e presidentit.
Kryeministri Albin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), ka thënë se ka bërë përpjekje për marrëveshje me partitë opozitare, por pa rezultat.Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar të propozojë vetë kandidatin për president, ndërsa është kritikuar nga LVV-ja për mungesë transparence.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), në anën tjetër, ka kundërshtuar idenë që një parti – në këtë rast LVV – t’i kontrollojë tri institucionet kryesore të shtetit: Qeverinë, Kuvendin dhe Presidencën.Kurti ka thënë se i ka ofruar LDK-së pjesëmarrje në Qeveri ose postin e kryeparlamentarit, por oferta është refuzuar. Një ofertë e ngjashme iu bë edhe PDK-së, por lideri i saj, Bedri Hamza, e cilësoi si joserioze, duke thënë se nuk kishte pasur ftesë zyrtare për takim.
Më pas, Kurti u ka kërkuar PDK-së dhe LDK-së të propozojnë tre emra jopartiakë për president, duke ofruar mbështetjen e LVV-së, por opozita e ka refuzuar edhe këtë ide, duke e cilësuar si joserioze dhe të papranueshme.Afati i 28 prillit erdhi pasi më 5 mars, LVV-ja nisi seancën për votimin e Konjufcës dhe Kollçakut, por e ndërpreu atë për shkak të mungesës së kuorumit.
Një ditë më pas, ish-presidentja Vjosa Osmani shpalli një dekret për zgjedhjet e reja. Por, vendimi u dërgua në Kushtetuese nga Qeveria e Kosovës.
Gjykata më e lartë në vend tha se deputetët kishin afat 34 ditë që të zgjidhnin një pasues të Osmanit.Osmani e përfundoi mandatin pesëvjeçar më 4 prill dhe kryeparlamentarja Albulena Haxhiu, sipas Kushtetutës, mori postin e ushtrueses së detyrës së presidentit.
Sipas Kushtetutës, presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mund të mbahet./REL