Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka paralajmëruar për një rëndim serioz të situatës financiare të komunave në vend.
Sipas tij, mbi 344 milionë euro u janë marrë komunave përmes vendimeve gjyqësore gjatë periudhës 2022–2026, ku shumica lidhet me kontratën kolektive, ndërsa vetëm në muajt e parë të vitit 2026 janë ekzekutuar rreth 55 milionë euro.Ibrahimi thekson se barrës ekzistuese po i shtohet edhe një kosto e re prej 15–20 milionë eurosh, si pasojë e moszbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese nga Ministria e Financave për shtesën e përvojës së punës (0.5% në vend të 0.25%) për vitet 2023–2025.
Njoftimi i plotë:Përveç faktit që komunave të Kosovës tashmë u janë marrë mbi 344 milionë euro përmes vendimeve gjyqësore në periudhën 2022–2026 (ku shumica dërrmuese lidhet me kontratën kolektive), dhe vetëm në muajt e parë të vitit 2026 janë ekzekutuar rreth 55 milionë euro, situata financiare po rëndohet edhe më tej me një barrë të re prej 15–20 milionë eurosh.
Kjo barrë shtesë vjen si pasojë e moszbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës nga ana e Ministrit Hekuran Murati dhe Ministrisë së Financave, lidhur me përllogaritjen e shtesës për përvojën e punës (0.5% në vend të 0.25%) për periudhën 2023–2025.Kjo do të thotë se komunat po përballen me një presion të trefishtë financiar:
• nga ekzekutimi i vendimeve gjyqësore për kontratën kolektive;
• nga ndikimi negativ në buxhetet komunale dhe investimet kapitale;
• dhe tash edhe nga një detyrim shtesë që buron nga moszbatimi i një vendimi detyrues kushtetues.
Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe obliguese për të gjitha institucionet. Moszbatimi i tyre jo vetëm që cenon rendin kushtetues, por prodhon pasoja direkte financiare që në këtë rast po i barten padrejtësisht komunave.Është e rëndësishme të theksohet se komunat nuk kanë pasur asnjë rol në krijimin e kësaj situate. Politikat e pagave dhe zbatimi i vendimeve kushtetuese janë përgjegjësi ekskluzive e nivelit qendror. Megjithatë, në praktikë, faturat po paguhen nga buxhetet komunale, duke rrezikuar seriozisht funksionimin normal të pushtetit lokal dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët.
Në këtë kontekst, kërkohet një ndërhyrje urgjente nga Qeveria e Kosovës që të marrë përgjegjësinë e plotë financiare për këto obligime dhe të sigurojë zbatimin e plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë që komunat të mos penalizohen për një dështim që nuk u takon.