Institucionet e Kosovës kanë nisur aktivitetet të cilat do të mbahen sot gjatë ditës për nder të Ditës së Pavarësisë.
Me ceremoni shtetërore është ngritur sot flamuri i Republikës së Kosovës në oborrin e ndërtesës së Qeverisë, në nder të 18-vjetorit të Pavarësisë.
Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë krerët shtetëror, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
E para e vendit ka thënë se është një ditë ku të gjithë bëhen bashkë për të festuar e edhe për t’i nderuar ata që dhanë jetën.
“I uroj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për 18-vjetorin e Pavarësisë së shtetit tonë sovran dhe të pavarur. Është një ditë ku të gjithë bëhemi bashkë. Në radhë të parë për të festuar këtë përvjetor të shtetit tonë të ri, i cili tashmë po hyn në moshë të pjekurisë, dhe në të njëjtën kohë bëhemi bashkë për të përkujtuar të gjithë ata që sakrifikuan gjithçka që ne sot ta gëzojmë shtetin. Natyrisht që sakrifica për të arritur deri këtu ka qenë shekullore. Shpeshherë ne fokusohemi te vitet e fundit, 80-ta e 90-ta, por në fakt kanë qenë breza të tërë që kanë dhënë gjithçka në mënyrë që ne sot ta gëzojmë shtetin e pavarur të Kosovës. Shprehim respektin më të thellë për të gjithë që kontribuan”, ka thënë Osmani, duke përmendur të gjitha ata që kontribuuan për këtë ditë.
“Shprehim respektin më të thellë për rrugën dhe kontributin e presidentit tonë historik, atit themeltar dhe arkitektit të pavarësisë së Kosovës, Ibrahim Rugova, mbi sakrificën e familjes Jashari, në krye me komandantin Adem Jashari, për mijëra dëshmorë, heronj të UÇK-së, për të gjithë ata që dhanë jetën, dhanë mundin dhe bënë sakrificë në mënyrë që të gjithë së bashku t’i gëzohemi shtetit tonë. Natyrisht që është kjo sakrificë që ka trasuar rrugën tonë përpara, për forcimin e shtetit tonë drejt rrugës euroatlantike, në këtë familje ku ne gjithmonë e kemi pasur vendin”, është shprehur Osmani.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu ka thënë se sot e edhe çdo ditë tjetër kujtohen me nderim të gjithë ata që dhanë jetën e tyre për pavarësi.
“Sot shënojmë 18-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, mbase një republikë e re, por jo edhe aq e re për të kuptuar se liria kërkon angazhim të përditshëm. Sot, por edhe çdo ditë tjetër, kujtojmë me nderim dhe respekt të gjithë ata që dhanë jetën e tyre për pavarësinë që ne sot e gëzojmë. Pra, dëshmorët e kombit dhe martirët. Por po ashtu nderojmë edhe figurat e larta që kontribuan në rrethana dhe periudha të ndryshme për çlirimin, lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës. Pavarësinë e nderojmë nëse punojmë me institucione funksionale që funksionojnë me integritet dhe po ashtu me profesionalizëm”, ka thënë Haxhiu.
Kurse, kryeministri Albin Kurti ka përmendur sakrificat e popullit të Kosovës për ketë ditë.
“Kosova po rritet. Po rritet numri i viteve të pavarësisë e numri i njohjeve të shtetësisë, po rritet ekonomia e vendit, mirëqenia e qytetarëve, dhe fuqia e shtetit. Para 18 vjetëve lindi Pavarësia e Republikës së Kosovës, por lindi e pjekur, sepse shumë breza të veprimtarëve, mbarë populli ynë me gjenerata të panumërta ka kontribuar dhe është sakrifikuar që ne të jemi të lirë dhe të pavarur, të kemi shtet demokratik dhe sovran. Sot festojmë, por njëkohësisht edhe nderojmë rezistencën paqësore e kryengritjet e armatosura, të cilat kulmuan me luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gëzuar Pavarësia,18-vjetori, dhe kremtofshim të gjithë bashkë për jetë e mot”, ka thënë ai./Nacionale