Në Bruksel u zhvillua Forumi i Zgjerimit të Bashkimit Evropian, i cili mblodhi udhëheqës evropianë, përfaqësues të vendeve kandidate, ekspertë politikash dhe aktorë të shoqërisë civile.
Gjatë gjithë debatit u diskutua për përparimet e shteteve, përfshirë ato të Ballkanit Perëndimor, por Kosova nuk u përmend asnjëherë.
Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, u pyet për këtë mungesë dhe për faktin që Kosova është i vetmi vend në rajon pa status kandidati për Bashkimin Evropian.Kos tha se ende ekzistojnë kushte që duhet të përmbushen, por kjo nuk ndalon bashkëpunimin me Kosovën.
Ajo theksoi se avancimi i procesit varet nga formimi i një qeverie të re dhe ratifikimi i një plani reformash në Parlament.“Lajmi i mirë është se, që nga zgjedhjet lokale të fundit, gjërat kanë shkuar mirë dhe do të jemi në gjendje të heqim masat kundër Kosovës,” u shpreh Kos.
Ndërsa shtoi se veprimet e politikanëve vendorë janë vendimtare për ecurinë e procesit.“Shpresoj, por ju lutem, politikanët tuaj duhet të ecin përpara. Na duhet një qeveri. Nuk kam askënd me të cilin të bisedoj. Kjo është e rëndësishme,” tha Kos. /Telegrafi/