Kryeministri Albin Kurti ka publikuar fotografi me Presidentin e ShBA-ve, Donald Trump.
Fotografia është realizuar në pritjen e liderëve të organizuar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës më 22 shtator, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
“Në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, kisha nderin që të takoj për herë të parë Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Donald J. Trump”, shkroi Kurti në një postim në Facebook.
Shefi i qeverisë tha se e falënderoi Trump për “ngritjen e valës së investimeve në mbrojtje në NATO, ku edhe Kosova duhet të anëtarësohet”.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleati kryesor, partneri i pazëvendësueshëm dhe miku special i Republikës së Kosovës”, shkroi Kurti në postim.
Fotografi të njëjta me Trump gjatë ditëve të fundit kanë publikuar edhe liderët rajonalë si kryeministri shqiptar Edi Rama dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.