Kryeministri në detyrë Albin Kurti, tashmë dihet se nuk po i zbaton vendimet e Gjykatave të Kosovës, ose thënë më qartë, nuk po i zbaton vendimet që atij nuk i konvenojnë, shkruan Gazeta Metro.
Vetëm dy javë pasi Gjykata Supreme e Kosovës tha që nxjerrja e akteve nënligjore apo udhëzimeve administrative nga ministrat që janë deputetë është e kundërligjshme dhe shkel dispozitat kushtetuese, Qeveria në Detyrë mori vendime të reja antikushtetuese.
Kurti gjatë mbledhjes së qeverisë të premten morri vendime që shumëkujt mund edhe t’u konvenojnë, por që gjthsesi janë vendime joligjore.
Vendimet që i mori qeveria në detyrë janë: Heqja e tarifës doganore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për 10%, ndarja e rreth 300 mijë eurove për dy komuna që VV udhëheq, ndarja e 40 mijë eurove për dy familjet e zjarrfikësve që humbën jetën në krye të detyrës në vitin 2024.
Gjithashtu Kurti ndau gjysmë milioni euro për palestinezët në Gaza për shkak të krizës humanitare atje.
Këto veprime po vijnë në një kohë kur vendimet e gjykatave, përfshirë ato të instancës më të lartë gjyqësore në vend, po injorohen nga ekzekutivi në detyrë, duke ngritur shqetësime për respektimin e shtetit të së drejtës dhe ndarjen e pushteteve në Kosovë.
Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës ka hedhur poshtë një udhëzim administrativ të ministrit në dorëheqje Hekuran Murati për punën e arkave fiskale.
Në këtë vendim të Supremes thuhet se Ligji për Qeverinë, përkatësisht nenet 28 dhe 29 e përcaktojnë qartë se mandati i Qeverisë së Kosovës përfundon me përfundimin e mandatit katër vjeçar të Kuvendit dhe se mandati i anëtarëve të Qeverisë përfundon në rast të zgjedhjes së tyre deputet./gazetametro.net