Në një fjalim të rëndësishëm mbajtur në Firence, në Fakultetin Teologjik të Italisë Qendrore, Sekretari për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare theksoi nevojën për të ruajtur "parimet e njerëzimit" në një kontekst bashkëkohor, në të cilin e drejta ndërkombëtare “shpesh braktiset e, jo rrallë, edhe shkelet". Kujtoi edhe se, që nga Mesjeta, Kisha dhe Papët nxitën zgjidhjen e konflikteve, përmes dialogut.
Një "grumbull rrënojash" a një "kopsht i lulëzuar": dy pamje që ndeshen për shpirtin e botës. Shën Gjon Pali II, e parashikoi që në vitin 2000 këtë udhëkryq për njerëzimin. Sot, ky rrezik ripërtërihet, i nxitur nga ideja "moralisht e pambrojtshme dhe strategjikisht e paqëndrueshme" e ndërtimit të sigurisë, duke kërcënuar "shkatërrimin e përgjithshëm". Hijet e armëve bërthamore vazhdojnë të projektohen mbi ndërgjegjet, ndërsa drita e një bote të pajtuar mbetet thjesht premtim i kultivuar në farën e "faljes së guximshme" që Kisha e çmon dhe e shpall që nga Mesjeta - deri te Papa Leoni XIV.
Këto, rreziqet dhe shpresat që shprehu Kryeipeshkvi imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, në fjalimin kryesor mbajtur dje pasdite, të enjten, 13 nëntor, në Fakultetin Teologjik të Italisë Qendrore, në Firence, me titull "Kërcënimi bërthamor: skenarë të rinj të rrezikut dhe angazhimi i të krishterëve".
Krizat ndërkombëtare
Kryeipeshkvi anglez - duke u kthyer nga udhëtimi i tij në Sri Lanka javën e kaluar – nisi të flasë duke e lidhur kërcënimin bërthamor të sotëm, me tetëdhjetë vjetorin e provës së parë bërthamore në New Mexico dhe me "shkatërrimin" e Hiroshimës dhe të Nagasakit, vuajtjet e të cilave përfaqësojnë "kujtesën e qëndrueshme" të potencialit "katastrofik" të armëve atomike. Konteksti aktual, pohon Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet , "u vu në provë të rëndë" nga kriza të shumta: pandemia globale, fatkeqësitë natyrore gjithnjë e më të shpeshta, pasiguria ushqimore, rritja e urisë, konfliktet e reja dhe dhuna e përhapur në shumë vende... Ekuilibri i pushtetit pas Luftës II Botërore u trondit e paqja sot "nuk mund të merret më si e fituar", edhe për shkak të "dyshimeve" në rritje rreth aftësisë së bashkësisë ndërkombëtare për të ruajtur stabilitetin ndërmjet kombeve.
Dështimi i "retorikës së kërcënimit"
"Logjika e ndeshjes dhe e luftës për pushtet është forcuar ndjeshëm", deklaroi Imzot Gallagher, "me formimin e aleancave të reja dhe ringjalljen e retorikës së kërcënimit, veçanërisht kërcënimit bërthamor". Kështu, sot bota po vëren "një rimëkëmbje të fortë dhe një garë të përshpejtuar armatimesh, shoqëruar me përpjekje të përtërira, ndonjëherë frenetike, për të zgjeruar arsenalet ekzistuese dhe aftësitë e tyre shkatërruese". Pyetja që lind spontanisht ka të bëjë me kuptimin e kësaj "retorike kërcënimi", e cila zakonisht pasqyron një marrëdhënie "të dëmtuar", në të cilën tjetri perceptohet si i rrezikshëm. Të ndeshur me pasigurinë, instinktivisht mbahet një "qëndrim mbrojtës", i cili e bën komunikimin më të vështirë dhe e redukton në një shfaqje fuqie, që synon frikësimin. Informacioni bashkëkohor, për më tepër, i bazuar shumë në dukje, e amplifikon këtë perceptim përmes përfaqësimit të aftësive ushtarake. "Qëndrimi kërcënues", i dalë nga frika e tjetrit, mund të prodhojë një efekt pengues, në dukje "efektiv", ndërsa krijon vetëm "ekuilibër të pasigurt dhe të brishtë të frikës ose shantazhit", mbi të cilin është e pamundur të ndërtohen marrëdhënie paqësore dhe të qëndrueshme.
Bota në udhëkryq: "kopsht" apo "grumbull rrënojash"
Një ekuilibër, që Papa Shën Gjoni XXIII e hodhi poshtë në letrën e tij enciklike Pacem in Terris (1963), duke nxitur "çarmatimin e përgjithshëm", për të "shpërbërë psikozën luftës". Përfshinte kështu, zëvendësimin e logjikës së forcës, me atë të besimit të ndërsjellë - "ndryshim paradigme jo gjithnjë i lehtë". Fatkeqësisht - vuri në dukje Kryeipeshkvi Imzot Gallagher, - vazhdon të besohet se ekuilibri ushtarak, e ekuilibri bërthamor në veçanti, mund të përbëjnë "një garanci paqeje dhe sigurie".
Duke cituar përsëri Papën Roncalli, Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet kujtoi se gara e armëve bërthamore ngjall tek qeniet njerëzore frikën e të jetuarit "në makthin e një uragani, që mund të shpërthejë në çdo çast". “Ekuilibri i bazuar në terror dhe dukjet e ndërsjella të forcës", shtoi Imzot Gallagher, "nuk mund të garantojë në asnjë mënyrë paqe të mirëfilltë; përkundrazi, kontribuon në thellimin e rrezikut dhe të fushëveprimit shkatërrues të një konflikti të mundshëm". "Ideja e mbrojtjes së paqes përballë kërcënimit të shkatërrimit të plotë ose të iluzionit se stabiliteti mund të rrjedhë nga mundësia e asgjësimit të ndërsjellë", pohoi ai, "është moralisht e pambrojtshme dhe strategjikisht e paqëndrueshme". Ky është udhëkryqi që Papa Shën Gjon Pali II e përmblodhi në vitin 2000 duke thënë:
"Njerëzimi sot zotëron mjete me fuqi të paparë: mund ta shndërrojë këtë botë në një kopsht, ose ta zvogëlojë në grumbull rrënojash".
Rreziku i "modernizimit teknologjik" të luftës
"Modernizimi i vazhdueshëm teknologjik" i aftësive ushtarake e shumëfishon më tej këtë rrezik. Imzot Gallagher kujtoi se mjetet e Inteligjencës Artificiale (IA) po vijojnë të përdoren edhe sot për luftë "në mënyrë gjithnjë e më të paskrupullt". Disa koka luftarake tani janë të afta të identifikojnë dhe të godasin objektivat pa ndërhyrjen njerëzore, por - theksoi - "edhe sistemet më moderne nuk do të jenë kurrë në gjendje të zëvendësojnë aftësinë unike njerëzore për gjykim moral dhe vendimmarrje etike". Dokumenti i Selisë së Shenjtë Antiqua et Nova mbi IA (Inteligjencën artificiale) paralajmëron se armët autonome vdekjeprurëse mund ta bëjnë luftën më "praktike", duke zgjeruar fushëveprimin e saj dhe "duke mjegulluar më tej vijat ndërmjet asaj, që është e lejueshme, dhe asaj, që nuk është". Në këtë skenar, zbatimi i parimit të proporcionalitetit - një gur themeli i ligjit humanitar dhe teorisë së luftës së drejtë - i cili kërkon kufizimin e përdorimit të forcës "në atë që është rreptësisht e nevojshme për të arritur objektiva legjitime" - bëhet edhe më i ngatërruar. E gjithë kjo ka pasoja të thella për mbrojtjen e parimeve themelore humanitare dhe për vetë njerëzimin.
Rrugë dialogu dhe mjete paqësore
Prandaj, theksoi Kryeipeshkvi Gallagher, urgjenca për t'iu përgjigjur thirrjes së Etërve të Koncilit II të Vatikanit për ta "konsideruar luftën me një mentalitet krejtësisht të ri". Një "paqe e paarmatosur dhe çarmatosëse, e përulur dhe këmbëngulëse" - siç tha Papa Leoni XIV - kërkon rrugë dialogu dhe mjete paqësore për të zgjidhur mosmarrëveshjet ndërkombëtare:
"Nuk është frenim, por vëllazërim; nuk është ultimatum, por dialog. Nuk do të vijë si fryt i fitoreve mbi armikun, por si rezultat i mbjelljes së drejtësisë dhe të faljes së guximshme".
Kisha historikisht kundër Luftës
Historikisht, kujtoi Kryeipeshkvi, që nga Mesjeta e deri te lëvizjet moderne, Kisha ka qenë gjithmonë në gjendje të mbështetet në mbrojtës të fortë të zgjidhjes paqësore të konflikteve.
Piu IX, në gjysmën e dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë, denoncoi skandalin e luftës dhe ratifikoi Konventën e parë të Gjenevës (1864), duke sqaruar se Kisha nuk do të bënte kurrë luftë. Të gjithë pasardhësit e tij e përsëritën me vendosmëri dënimin e tyre të luftës:
"Kurrë më luftë, kurrë më luftë", deklaroi Shën Pali VI në Kombet e Bashkuara, në vitin 1965.
Po kështu, Papa Shën Gjon Pali II deklaroi me vendosmëri se "lufta duhet t'i përkasë së kaluarës tragjike, historisë; ajo nuk duhet të ketë vend në planet e njeriut për të ardhmen". Papa Françesku, në Mesazhin e tij për Ditën Botërore të Paqes 2017, kujtoi se "kur i rezistojnë tundimit të hakmarrjes, viktimat e dhunës mund të jenë protagonistët më të besueshëm të proceseve të ndërtimit të paqes pa dhunë". Ndërsa në Letrën e tij të fundit Apostolike për përvjetorin e gjashtëdhjetë të Deklaratës Konciliare Gravissimum Educationis, Leoni XIV këmbënguli në rëndësinë e "dëgjimit që e njeh tjetrin si të mirë, jo si kërcënim".
Të ruhen "parimet e njerëzimit"
Kryeipeshkvi Gallagher theksoi, më pas, urgjencën e "ruajtjes së parimeve të njerëzimit" në rrethanat ndërkombëtare. "Mendësia e re" e nxitur nga Koncili, kërkon angazhim serioz për respektimin e ligjit humanitar, që shumë shpesh shkelet në konfliktet bashkëkohore. Sulmet e qëllimshme kundër civilëve dhe infrastrukturës, dhe "banalizimi" që pason nga mizoritë, e minojnë dinjitetin njerëzor dhe e dobësojnë të gjithë sistemin normativ të Konventave të Gjenevës.
"Nuk mund të ketë paqe të vërtetë" nëse ky kuadër nuk mbrohet, deklaroi Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare. Është themelore të ruhet dallimi ndërmjet civilëve dhe luftëtarëve, duke riafirmuar parimet e proporcionalitetit dhe masës paraprake. Megjithatë, "përshtatja e kuadrit ligjor nuk është e mjaftueshme": duhet të rizbulojmë parimet etike, për t’i prirë veprimtarisë njerëzore./Radio Vatikani