Leoni XIV: paqja kërkesë urgjente, duhet të shprehet në vendime me përgjegjësi
Leoni XIV: paqja kërkesë urgjente, duhet të shprehet në vendime me përgjegjësi 23.02.2026 | 02:16
Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa Leoni XIV përsëriti me forcë thirrjen që të heshtin armët e të ndalen bombardimet. "Të arrihet pa vonesë armëpushimi e të forcohet dialogu"- bëri thirrje Leoni XIV katër vjet pas fillimit të "luftës kundër Ukrainës". Paqja nuk mund të shtyhet, theksoi: "Çdo luftë është plagë e shkaktuar mbi të gjithë familjen njerëzore, që lë pas vdekje, shkatërrim dhe gjurmë dhimbjeje ndërmjet breznive".
"Sa viktima, sa jetë e familje të rrënuara! Sa shkatërrim! Sa vuajtje të patregueshme..." Katër vjet pas fillimit të luftës kundër Ukrainës, zemra e Papës "shkon ende në situatën dramatike që - deklaroi Leoni pas lutjes së Engjëllit  të Zotit, nga dritarja e Pallatit Apostolik mbi Sheshin e Shën Pjetrit - është aty, para syve të të gjithëve".
 
Çdo luftë është plagë e shkaktuar mbi të gjithë familjen njerëzore, lë pas vdekje, shkatërrim dhe gjurmë dhimbjeje, gjurmë brezash. Paqja nuk mund të shtyhet; është nevojë urgjente, e cila duhet të gjejë vend në zemra dhe të shprehet në vendime me përgjegjësi.
 
Të bashkuar në lutje për popullin martir ukrainas
 
Papa “e përsëriti edhe sot me forcë” thirrjen: "Të heshtin armët! Të ndalen bombardimet! Të arrihet pa vonesë armëpushimi dhe të forcohet dialogu për të hapur rrugën drejt paqes".
 
I ftoj të gjithë të bashkohen në lutje për popullin e martirizuar ukrainas dhe për të gjithë ata që vuajnë për shkak të kësaj lufte e të çdo konflikti në botë, në mënyrë që dhurata e shumëpritur e paqes të rishkëlqejë mbi ditët tona.
 
Thirrje të përsëritura për paqe
 
Thirrja e sotme, në përvjetorin e katërt të fillimit të pushtimit rus në shkallë të gjerë të Ukrainës, ka shije të hidhur, megjithatë e mban gjallë shpresën. Ishte e tillë që kur filluan të lartoheshin nga zemra lutjet e Papës Françesku për paqe në zemër të Evropës, shoqëruar me dashurinë e tij të veçantë për "popullin martir ukrainas". Kjo shprehje u bë e njohur për shumë njerëz.
 
E këto lutje u përsëritën nga Leoni XIV edhe një ditë pas zgjedhjes së tij, kur e quajti këtë luftë "të pakuptimtë", duke pohuar urgjencën e arritjes së "një paqeje të vërtetë, të drejtë dhe të qëndrueshme sa më shpejt të jetë e mundur". Lirimi i të gjithë të burgosurve dhe kthimi i fëmijëve në familjet e tyre u shoqërua vazhdimisht me lutjen e Papës. Tani, i ftohti i fortë i dimrit, i cili vijon të shkaktojë dëme nga bombardimet, është veçanërisht shqetësues për të. Prej këndej thirrja:
 
"Uroj që të pushojë zhurma e armëve dhe palët e përfshira, të mbështetura nga angazhimi i bashkësisë ndërkombëtare, të kenë guximin për t'u angazhuar në një dialog të sinqertë, të drejtpërdrejtë, respektues", deklaroi në fjalimin e tij të Krishtlindjeve, Urbi et Orbi.
 
Me zemër pranë viktimave të luftës
 
Për më tepër, duke vazhduar përpjekjet e solidaritetit me popullsinë ukrainase nisur nga paraardhësi i tij, Leoni vijoi të dërgojë ndihma për vendin përmes Lëmoshtarisë. Ndërkohë, foli në telefon me Presidentin, priti shoqata të angazhuara për t’u ofruar ndihmë viktimave të luftës, nënave dhe grave e ushtarëve ukrainas në front, fëmijëve dhe të rinjve, e u takua me shtegtarë ukrainas, të cilëve ua vlerësoi tokën e tyre "të fekonduar nga dëshmia e kaq shumë shenjtorëve" dhe "të vaditur me gjakun e shumë martirëve".
 
Gjatë një audience, dhjetorin e kaluar, me Presidentin ukrainas Zelensky, Papa pohoi gatishmërinë e Selisë së Shenjtë për pritjen e bisedimeve.
 
Madje mendoi për një udhëtim në Kiev, ndërsa pranoi nevojën për realizëm të kujdesshëm. Përballë shkallëzimit të një konflikti gjithnjë e më hibrid, me dëme të konsiderueshme për civilët dhe infrastrukturën, pas kthimit nga udhëtimi i tij i parë ndërkombëtar, theksoi rëndësinë e përfshirjes evropiane dhe italiane. "Angazhim serioz për dialog", bëri thirrje në fund të gushtit, ndërsa, në përvjetorin e festës kombëtare të Ukrainës, u shprehu ngushëllimet e tij, "me zemër të plagosur nga dhuna", familjeve të të rënëve dhe të zhvendosurve./Radio Vatikani
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Pastë me spinaq e djath Zieni pastat. Përderisa zihen pastat, përgatisni sosin. Në një tigan të thelle shkrni buterin,
Ëmbëlsirë e shpejtë nga mollët dhe arrat: Desert perfekt i gatshëm për gjysmë ore! Kombinimi i mollëve dhe i arrave përbën shije të vërtetë.
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Supë me patate dhe selino Selinoja është një perime e mrekullueshme e njohur gjërësisht për vetitë detoksifikuese të
Tost dietik integral me gjethe selinoje Mënyra e përgatitjes: Përhapni gjalpin e kikirikut mbi 2 fetat e bukës.