Konflikti ndërmjet dy vendeve të Azisë jugore ka shkaktuar më se 200 të vdekur e 100.000 të zhvendosur. Sipas të dhënave të fundit të Kombeve të Bashkuara, viktimat e ndeshjeve kufitare janë kryesisht gra e fëmijë. Atë Khalid Rashid, meshtar i Dioqezës së Faisalabad dhe drejtor i Komisionit për Drejtësi dhe Paqe të Konferencës së Ipeshkvijve Pakistanezë: "Shumë familje po braktisin shtëpitë e tyre. Tani kanë nevojë për ushqim, ujë e ilaçe".
Lufta ndërmjet Pakistanit dhe Afganistanit po bëhet gjithnjë e më serioze. Vëzhguesit ndërkombëtarë, të cilët deri tani mendonin se ishte vetëm zjarr në kashtë, thjesht përleshje ndërmjet dy fqinjëve të trazuar, do të duhet të rimendojnë më mirë. Së pari, sepse pikërisht pardje, misioni i Kombeve të Bashkuara në Afganistan njoftoi se përplasjet në zonat kufitare po shtohen. Që nga 26 shkurti, dita kur shpërtheu konflikti, vdiqën më shumë se 200 civilë të dyja palët, ndërsa 118.000 vetë u zhvendosën brenda vendit, në të dy drejtimet. Vlen gjithashtu të përmendet se mbi 55% e viktimave janë gra e fëmijë. Një tragjedi e vërtetë!
Dëshmi shqetësuese
Por vlerësimi i këtij si konflikt me intensitet të ulët, po shpërndahet edhe nga rrëfimet e drejtpërdrejta që media e Vatikanit arriti të marrë nga fusha e betejës. Janë zërat e atyre që, ditë pas dite, e shohin situatën duke u keqësuar, me bashkësinë ndërkombëtare të paaftë për të ndaluar këtë shkallëzim të rrezikshëm në zonën, tashmë të ndezur nga një luftë tjetër: ndërmjet Iranit, Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, që vijon jo shumë larg Islamabadit dhe Kabulit.
Krizë e ndërlikuar
"Edhe pse konflikti midis Pakistanit dhe Afganistanit teknikisht nuk mund të përkufizohet si konflikt në shkallë të gjerë, veprimet e fundit ushtarake krijuan një mjedis të rrezikshëm" - tregon Atë Lazar Aslam, frat françeskan kapuçin, aktivist i të drejtave të njeriut dhe sekretar i përgjithshëm i Mariam Siddeeqa, Kujdestarisë së Përgjithshme kapuçine të vendit, nga Pakistani. "Kjo paqëndrueshmëri - vazhdon Atë Aslam me shqetësim - u rëndua nga riatdhesimi i detyruar i refugjatëve afganë, të cilëve u kërkohet të largohen nga Pakistani pas dekadash qëndrimi, duke shkaktuar një krizë të ndërlikuar zhvendosjeje. Organizatat ndërkombëtare, si OKB-ja, vazhdojnë të kërkojnë modernizim, por kërcënimi i një katastrofe humanitare edhe më serioze, mbetet i lartë".
Jetë e vështirë
Për të zhvendosurit kriza ka filluar tashmë. Dhe është shqetësuese. Për këtë është i vetëdijshëm edhe atë Khalid Rashid, meshtar i dioqezës së Faisalabadit dhe drejtor i Komisionit për Drejtësi dhe Paqe të Konferencës Episkopale pakistaneze. "Për shkak të luftimeve në zonat kufitare - shpjegon - shumë familje janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre. Këta njerëz jetojnë në strehimore të përkohshme, ose ndër të afërm. Kushtet e tyre të jetesës janë të vështira. Kanë nevojë urgjente për ushqim, ujë të pijshëm, ilaçe, strehim dhe mbështetje psikologjike. Po përpiqen t'i ndihmojnë Organizata të ndryshme humanitare, komunitete lokale dhe grupe bamirësie".
Nevojtarë për gjithçka
Por nuk është e lehtë. Vendi është zhytur në një krizë të rëndë ekonomike, që po shkakton edhe mungesën e nevojave më themelore dhe ka bërë që çmimet e benzinës të rriten ndjeshëm. Siç pohon Atë Aslami, "njerëzit janë të lodhur nga konflikti dhe nuk mund ta durojnë dot perspektivën e një lufte të mëtejshme. Ekziston një ndjenjë e thellë tragjedie edhe pse ky konflikt shpesh e vë vëllain mysliman kundër vëllait mysliman, duke çuar kështu, në një lutje kolektive për stabilitet dhe një të ardhme të të lirë, pa dhunë".
Paqe e ngutshme
Nevoja e ngutshme për paqe është konkretizuar në një thirrje nga ipeshkvijtë pakestinezë për të vënë në praktikë atë që Ati Aslam e quan lutje simfonike: “Përmes Meshëve, lutjes së Rruzares dhe Adhurimit Eukaristik, Kisha katolike po përdor dialogun, në vend të armëve. Përgjigje themelore nga komuniteti i krishterë është organizimi i takimeve të përbashkëta, në të cilat të krishterët, myslimanët, sikët dhe hindutë e thyejnë bukën së bashku. Ky është zbatim praktik i Ungjillit”.
Dialog i nevojshëm
Edhe Atë Rashid siguron se jeta sakramentale dhe baritore e bashkësisë së vogël të krishterë, tani për tani nuk ka pësuar ndërprerje të mëdha, vazhdon normalisht, edhe nëse tensionet mbeten të larta. Mbi të gjitha, kemi frikë se konflikti iranian aty pranë, i kombinuar me atë që po jetojmë këtu, mund të provokojë një luftë më të gjerë. Për këtë arsye, dialogu dhe diplomacia ndërkombëtare janë themelore për të parandaluar një katastrofë të mëtejshme"./Radio Vatikani