Në përshëndetje drejtuar besimtarëve në gjuhën arabe dhe kineze, gjatë audiencës së sotme të përgjithshme në sheshin Shën Pjetrit, Papa përtërin thirrjen e tij për fundin e çdo konflikti, duke menduar mbi të gjitha për situatën aktuale në Lindjen e Mesme. Ati i Shenjtë i inkurajoi besimtarët që, përmes besnikërisë ndaj vlerave të krishtera, të transmetojnë “dashuri” dhe “pajtim”.
Leoni XIV kthehet të kërkojë paqen për Lindjen e Mesme, ashtu siç pati bërë të dielën e kaluar, më 15 mars, pas lutjes së Engjëllit të Zotit, duke shprehur gjithë shqetësimin e tij për “dhunën mizore” që po konsumohet në rajon, për shkak të konfliktit midis koalicionit izraelito-amerikan dhe Iranit, i cili përfshin edhe Libanin “e dashur”, me mijëra viktima dhe pothuajse një milion të shpërngulur brenda vendit.
Gjatë audiencës së sotme të përgjithshme, 18 mars, mbajtur në Sheshin Shën Pjetrit, në Vatikan, në përshëndetjet drejtuar besimtarëve në gjuhën arabe, Papa ftoi të gjithë të krishterët të përhapin paqen në mjediset ku jetojnë, në mënyrë që ajo të mbretërojë mes të gjitha popullsive të botës.
Përshëndes besimtarët e gjuhës arabe, në veçanti ata që vijnë nga Lindja e Mesme. I krishteri është i thirrur të jetë instrument paqeje, dashurie dhe pajtimi, në mënyrë që paqja e vërtetë të mbizotërojë mes të gjithë popujve. Zoti ju bekoftë të gjithëve dhe ju mbrojtë gjithmonë nga çdo e keqe!
Një jetë e frymëzuar nga vlerat e krishtera
Papa Leoni XIV ritheksoi edhe në përshëndetjet drejtuar besimtarëve në gjuhën kineze rëndësinë e besnikërisë ndaj një jete dëshmie të dashurisë dhe vëllazërisë, në mënyrë që të krishterët, duke mos e “humbur shijen”, të dinë të promovojnë bashkëjetesën paqësore.
U drejtoj përshëndetjen time të përzemërt personave të gjuhës kineze. Të dashur vëllezër dhe motra, ngulmoni në udhëheqjen e një jete të frymëzuar nga vlerat e krishtera për të qenë instrumente paqeje në shoqëri./Radio Vatikani