Ministrat e Jashtëm të vendeve të G7-s i kanë kërkuar Iranit që të “ndalojë armatosjen dhe mbështetjen” për rebelët Huthi në Jemen.
Në një deklaratë të përbashkët, G7 dënoi “në termat më të ashpër” sulmet e Huthëve ndaj Arabisë Saudite, duke paralajmëruar se përshkallëzimi i fundit i luftimeve në Jemen përbën kërcënim për sigurinë rajonale dhe atë globale të energjisë.
Mijëra persona janë larguar nga zonat e prekura në Jemen ditët e fundit, pasi Huthët, të mbështetur nga Irani, kanë marrë nën kontroll territore përgjatë bregdetit të Detit të Kuq, përfshirë zona pranë ngushticës Bab al-Mandab, një korridor i rëndësishëm për transportin detar dhe tregtinë globale.
Deklarata e G7-s vjen në prag të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, ku pritet të marrin pjesë edhe zyrtarë të lartë iranianë.
“U bëjmë thirrje Huthëve që menjëherë të ndalojnë të gjitha veprimet ushtarake, kërcënimet dhe sulmet ndaj anijeve civile, si dhe t’i rikthehen procesit politik me mirëbesim”, thuhet në deklaratën e ministrave të Jashtëm të Britanisë së Madhe, Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Japonisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Sipas tyre, veprimet e Huthëve përbëjnë “një model të rrezikshëm përshkallëzimi”, i cili mund të thellojë më tej konfliktin, të dëmtojë tregtinë ndërkombëtare dhe të krijojë paqëndrueshmëri ekonomike globale.
G7 tha gjithashtu se do të vazhdojë të mbështesë qeverinë legjitime të Jemenit dhe rikonfirmoi angazhimin për unitetin, sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të vendit.
Ndërkohë, të paktën gjashtë persona janë vrarë nga sulmet saudite në qytetin strategjik jemenas Mokha, raportoi agjencia AFP, duke cituar media të lidhura me Huthët.
Në mesin e viktimave janë dy fëmijë dhe një grua, ndërsa tetë persona të tjerë janë plagosur. Sulmi ndodhi në qytetin që Huthët e morën nën kontroll nga forcat pro-qeveritare në fillim të këtij muaji.
Arabia Saudite, e cila mbështet qeverinë e njohur ndërkombëtarisht të Jemenit, nuk ka komentuar ende raportimet për sulmet.
Sipas Kombeve të Bashkuara, më shumë se 120 mijë jemenas janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre si pasojë e përshkallëzimit të papritur të luftimeve përgjatë bregdetit të Detit të Kuq.