Irani ka kërcënuar se do të bllokojë rrugë të tjera tregtare në rajon, ndërsa SHBA-ja ka nisur një valë të re sulmesh ndaj objektivave ushtarake, raporton BBC.
Garda Revolucionare e Iranit tha se Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e mbyllur derisa SHBA-ja t’i japë fund “akteve të saj të agresionit” dhe se edhe korridore të tjera rajonale të eksportit të naftës dhe gazit mund të mbyllen.
Ky paralajmërim erdhi ndërsa Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane (CENTCOM) njoftoi se kishte kryer sulme me dronë, nga ajri dhe nga deti ndaj Iranit të mërkurën në mëngjes, përveç një operacioni shtatëorësh gjatë natës.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u zotua se javën e ardhshme do të godasë urat dhe termocentralet e Iranit nëse vendi nuk rikthehet në bisedime.
“Objektivat energjetike do t’i lë për në fund, por në fund do të godasim objektivat energjetike”, tha Trump në një intervistë për emisionin Special Report with Bret Baier, e transmetuar të martën në mbrëmje.
Përshkallëzimi i retorikës vjen pasi Trump tha se tarifa prej 20% që kishte kërcënuar ta vendoste për kalimin nëpër Ngushticën e Hormuzit do të zëvendësohej me marrëveshje “masive” tregtare dhe investimesh me shtetet e Gjirit.
Një bllokadë e re amerikane ndaj porteve iraniane u vendos të martën në mbrëmje, duke ndaluar anijet të lëvizin drejt dhe nga portet dhe zonat bregdetare të Iranit.
Në përgjigje, Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) paralajmëroi SHBA-në se duhet të “presë mbylljen e rrugëve të tjera të eksportit të naftës dhe gazit që u shërbejnë interesave të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre”. Ajo nuk dha hollësi se cilat rrugë mund të preken.
Ndërkohë, transmetuesi shtetëror iranian raportoi se ushtria e vendit kishte kryer sulme të veçanta ndaj objektivave amerikane në Jordani, Kuvajt dhe Bahrejn.
Edhe aleatët e SHBA-së thanë se kishin interceptuar dronë dhe raketa të lëshuara nga Irani.