Leoni XIV: Oleshky, një rreze shprese mes luftës – le të hapet rruga drejt paqes së qëndrueshme
Leoni XIV: Oleshky, një rreze shprese mes luftës – le të hapet rruga drejt paqes së qëndrueshme 02.11.2026 | 02:49
Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Zotit, Leoni XIV rikthehet t'i kushtojë një vëmendje të veçantë qytetit të vogël ukrainas, në rajonin e Hersonit, për të cilin kishte denoncuar kushtet tragjike në të cilat ndodhej popullsia, duke bërë thirrje, edhe përmes telefonatave me presidentët Putin dhe Zelensky, për një armëpushim humanitar, mbërritjen e ndihmave dhe evakuimin e civilëve. Sot ka përfunduar misioni i transferimit të banorëve drejt territoreve ukrainase që nuk janë të pushtuara.
 
Gjatë këtyre ditëve është zhvilluar një aksion humanitar në ndihmë të popullsisë civile në qytetin Oleshky. Shpresoj që bashkëpunimi ndërmjet palëve, i cili e bëri të mundur këtë gjest të domosdoshëm njerëzimi, të forcojë vullnetin për dialog dhe të çojë drejt nismave të reja konkrete për paqen.
 
Thirrje, lutje, telefonata me Putinin dhe Zelenskyn, e tani edhe një tjetër apel për paqe për Oleshky-n, qytetin për të cilin vetë Papa Leoni XIV kishte tërhequr vëmendjen e opinionit publik ndërkombëtar mbi tragjedinë që po përjetonte popullsia e tij.
 
Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Zotit, sot, më 1 nëntor, Papa Leoni XIV riktheu vëmendjen te ky qytet ukrainas në rajonin e Hersonit, i pushtuar nga forcat ruse, ku gjatë orëve të fundit ka përfunduar misioni i evakuimit të civilëve. Ky ishte pikërisht apeli që Ati i Shenjtë Leoni XIV i kishte drejtuar presidentit rus Vladimir Putin gjatë bisedës telefonike, kur ndodhej i shtruar në spitalin Gemelli, dhe më pas presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, disa ditë më vonë:
 
“Një armëpushim, për të mundësuar mbërritjen e ndihmave ushqimore dhe mjekësore, si dhe evakuimin vullnetar dhe të sigurt të popullsisë civile”.
 
Armëpushimi dhe evakuimi i civilëve
 
Banorët e Oleshky-t – të cilët para luftës ishin rreth 24 mijë, ndërsa tani kanë mbetur afërsisht 2 mijë, mes tyre rreth pesëdhjetë fëmijë – kanë jetuar gjatë këtyre muajve pa ujë, pa energji elektrike, pa ilaçe dhe pa ambulanca.
 
Të gjitha daljet nga qyteti ishin të bllokuara, pasi ura e vetme që e lidhte atë me Hersonin u hodh në erë në nëntor të vitit 2022, ndërsa rrugët jashtë qytetit dhe në fshatrat përreth ishin të minuara.
 
Papa Leoni XIV pati kërkuar një armëpushim humanitar për të mundësuar hapjen e një korridori evakuimi. Armëpushimi u njoftua më 23 tetor, pas një marrëveshjeje të konfirmuar nga Moska dhe Kievi, në të cilën rol vendimtar pati ndërmjetësimi amerikan, me përfshirjen e zonjës së parë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Melania Trump.
 
Ndalimi i luftimeve – më i gjati që nga fillimi i pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës nga Rusia – do të mbetet në fuqi deri nesër, 2 nëntor, në orën 10:59.
 
Ndërkohë, banorët e Oleshky-t kanë mundur të kalojnë gradualisht kufirin. Nuk dihet numri i saktë i civilëve që kanë arritur të mbërrijnë në territoret e Ukrainës që ndodhen nën kontrollin e qeverisë ukrainase dhe nuk janë të pushtuara. Dihet vetëm se më e moshuara ndër të evakuuarit është 94 vjeçe, ndërsa më i vogli është pak më shumë se një vjeç.
 
Lutje për viktimat e konflikteve
 
Një rreze e vogël shprese në një luftë që nuk njeh pushim. Nga dritarja e Pallatit Apostolik, Papa Leoni XIV i drejton lutjet e tij Zotit, me shpresën që të mos mjaftohemi vetëm me një armëpushim të përkohshëm, por të punohet për një paqe të qëndrueshme në të gjithë vendin.
 
Në fund, duke e zgjeruar vështrimin drejt viktimave të konflikteve që po e copëtojnë botën – viktimave në Ukrainë dhe jo vetëm –, Papa i drejtoi një lutje Qiellit:
 
“Le t'ia besojmë Marisë, Mbretëreshës së Paqes, dhe të gjithë Shenjtërve, të gjithë ata që, në çdo anë të botës, vuajnë për shkak të luftërave”.
 
Këshilli i Kishave të Ukrainës: të ndalet lufta, të triumfojë paqja e drejtë
 
Edhe Këshilli i Kishave dhe i Organizatave Fetare të Ukrainës (UCCRO) u shpreh lidhur me misionin në qytetin Oleshky, duke deklaruar se “e mirëpret” përfundimin me sukses të aksionit humanitar. Sipas Këshillit, ky aksion u bë i mundur falë zbatimit të marrëveshjeve të arritura dhe respektimit të armëpushimit, i cili mundësoi dhënien e ndihmës për viktimat e katastrofës humanitare.
 
Në një deklaratë, Këshilli shpreh sërish mirënjohjen ndaj Papa Leonit XIV, të gjithë partnerëve të Ukrainës dhe njerëzve vullnetmirë, “për përpjekjet, angazhimin dhe lutjet e tyre në funksion të shpëtimit të banorëve të Oleshky-t”. Gjithashtu, Këshilli mirëpret të gjithë bashkëqytetarët që shfrytëzuan mundësinë për t'u larguar nga Oleshky dhe për të gjetur strehim në territoret e kontrolluara nga Ukraina, duke siguruar lutjet e tij për të gjithë ata që “u shpëtuan”. Këshilli mirëpret edhe “ofrimin e ndihmës humanitare për banorët që kanë mbetur në Oleshky”.
 
Duke iu bashkuar fjalëve të Papës gjatë lutjes së Engjëllit të Zotit, Këshilli shpreh besimin që përvoja e misionit humanitar në Oleshky “të mund të shtrihet edhe në komunitete të tjera, banorët e të cilave ndodhen në një nevojë po aq urgjente për ndihmë”.
 
“Kishat dhe organizatat fetare të Ukrainës vazhdojnë të luten për përfundimin e luftës dhe për triumfin e një paqeje të drejtë në tokën e Ukrainës”./Radio Vatikani
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Pastë me spinaq e djath Zieni pastat. Përderisa zihen pastat, përgatisni sosin. Në një tigan të thelle shkrni buterin,
Ëmbëlsirë e shpejtë nga mollët dhe arrat: Desert perfekt i gatshëm për gjysmë ore! Kombinimi i mollëve dhe i arrave përbën shije të vërtetë.
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Supë me patate dhe selino Selinoja është një perime e mrekullueshme e njohur gjërësisht për vetitë detoksifikuese të
Tost dietik integral me gjethe selinoje Mënyra e përgatitjes: Përhapni gjalpin e kikirikut mbi 2 fetat e bukës.