Papa pret artistë dhe kuratorë në kuadër të takimit “Arti i së mundshmes: të endim së bashku”, organizuar nga Dikasteri për Kulturën dhe Edukimin, duke i falënderuar për nismat e ndërmarra, veçanërisht për ngritjen e Pavijonit të Vatikanit në Bienalen e Venecias. I ftoi të ripërtërijnë një aleancë, që mbron nga homologimi i imponuar nga teknika: “Arti nuk është mjet dytësor, është dëgjim i plagëve të njerëzimit, i etjes së tij për bukuri, drejtësi dhe paqe”.
“Kisha nuk e ka konsideruar kurrë artin si mjet dytësor”
Vetëm rreth dhjetë ditë pas vizitës së Papës Leoni XIV në Dikasterin për Kulturën dhe Edukimin katolik, më 21 shtator, gjatë së cilës Ati i Shenjtë nënvizoi rëndësinë e punës për të krijuar dialog përmes një gjuhe universale, të aftë për t’u përcjellë të gjithëve vlerat e humanizmit, audienca e sotme me artistë dhe kuratorë, në kuadër të takimit “Arti i së mundshmes: të endim së bashku”, të promovuar nga i njëjti dikaster i Vatikanit, ishte rasti për të falënderuar sërish të gjithë bashkëpunëtorët, të cilët, në vitet e fundit, janë vënë në shërbim të Selisë së Shenjtë, duke hapur “rrugë të reja”.
Në fjalën e tij, në Sallën e Konsistorit të Pallatit Apostolik, Papa iu referua ndërtimit të Pavijonit vatikanas në Bienalen e Venecias, por edhe projekteve të artit bashkëkohor, të cilat vazhdojnë të ngjallin kureshtje dhe interes në nivel ndërkombëtar. Ndër të pranishmit, në grupin prej rreth tridhjetë personash të pritur nga Papa, ishin përfaqësuesit e Bienales së Arkitekturës (2023 dhe 2025), të Bienales së Artit (2024 dhe 2026), të nismës “Conciliazione 5” (2025 dhe 2026), si edhe të Observatorit për Kishën dhe Kulturat Vizive Bashkëkohore.
Arti, si hapësirë dëgjimi
Papa kujton në veçanti suksesin e artit në burgun e Giudecca-s, të cilin Papa Françesku pati mundësinë ta vizitonte: një përvojë, që pati një jehonë të jashtëzakonshme, pionieristike, e cila bëri të mundur që vetë ambienti i burgimit “t’i mësonte diçka artit dhe të gjithëve ne”.
Duke iu referuar takimit më të fundit në Accueil Notre-Dame në Lourdes, Leoni XIV iu rikthye temës së dinjitetit njerëzor, i cili është “gjithmonë më i madh se brishtësia apo gabimet e njeriut”. Më pas, përmendja e edicionit ende në vijim në Venecia, “The Ear is the Eye of the Soul” (“Veshi është syri i shpirtit”), i cili mbështetet në idenë e një arti të aftë për të kapur, për t’i bërë të dukshme dhe për t’i ndarë me të tjerët pyetjet e mëdha të zemrës njerëzore. Në fund të fundit, siç shkruante edhe Shën Augustini, “arti, kur është autentik, gjallërohet nga ky shqetësim i brendshëm”.
“Për Kishën, arti është një hapësirë themelore dëgjimi, ku njeriu i jep mundësinë vetes të mësojë për aspiratat dhe plagët e njerëzimit, për etjen e tij për bukuri, drejtësi dhe paqe, për kërkimin e kuptimit të jetës”.
Arti, një formë ripërtëritjeje
Reflektimi i Papës vazhdon me denoncimin se epoka e teknikës dhe e konsumit, që përjetojmë, ka rrezik ta homologojë gjithçka, duke e vënë në të njëjtin nivel e se ky nivel mund të jetë i ulët. Me një metaforë të bukur, arti krahasohet me një motor kërkimi në thellësi, që jep si rezultat jo thjesht një sërë rastësish të përsëritura, por një ndërthurje faktesh e strukturash. Në këtë kuptim, veprimi estetik ka një vlerë të shtuar të pazëvendësueshme.
“Arti juaj, kur i reziston rrafshimit, kur e ngadalëson vështrimin, kur e detyron njeriun të ndalet përpara asaj, që nuk e lë veten të konsumohet, është një formë ripërtëritjeje kulturore dhe shpirtërore”.
Arti, një mënyrë për të ruajtur njerëzoren
Papa u bën jehonë fjalëve të Shën Palit VI në homelinë tashmë të famshme të meshës me artistët në vitin 1964, si edhe ato të shqiptuara në UNESCO pak ditë më parë, duke u kërkuar artistëve edhe një herë të bashkëpunojnë me Kishën.
“Edhe unë sot po ju them: Kisha ka nevojë për ju. Veçanërisht në këtë epokë të inteligjencës artificiale, në të cilën bëhet urgjente të dallojmë artin njerëzor nga ai, që prodhohet nga makinat”./Radio Vatikani