Papa, i intervistuar nga rrjeti televiziv NBC dhe Telemundo në fund të takimit "Kënga e Paqes", u bëri thirrje emigrantëve të mos e humbasin shpresën, duke theksuar bukurinë që vjen nga kapërcimi i dallimeve dhe nga njohja e pasurisë së çdo njeriu. Leoni XIV shprehu dëshirën për të vizituar SHBA-në dhe theksoi rolin e tij si bari i Kishës universale, që u shërben njerëzve në mbarë botën.
Ndjenja e lirisë, mundësitë për të gjithë e mikpritja për njerëz ardhur nga e gjithë bota, që pastaj u bënë pjesë e një kombi të vetëm. Ky është aspekti themelor i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që i pëlqen më shumë Papës Leoni XIV, siç mësohet nga intervista, që i dha NBC dhe Telemundo-s, pas takimit të lutjes “Kënga e Paqes”, mbajtur mbrëmë, më 29 korrik, në Borgo Laudato Si', në Kopshtet Papnore të Castel Gandolfo, me këngëtarin italian Andrea Bocelli dhe me korin e fëmijëve ABF Voices. Në bisedën me gazetarët e rrjetit televiziv amerikan NBC, në të cilin përfshihet edhe Telemundo, televizion amerikan në gjuhën spanjolle, Papa shprehu dëshirën për të vizituar vendin e tij të lindjes dhe trajtoi edhe një herë çështjen e emigrantëve, duke i nxitur ata të mos e humbasin shpresën.
Të mësojmë nga fëmijët
Fëmijët nga vende të ndryshme të botës, që u përkasin edhe feve të ndryshme, të bashkuar nga bukuria e këngës dhe muzikës, ofruar nga “Kënga e Paqes”, ishin për Papën ftesa për të parë bukurinë që lind, në të cilën të gjithë mund të marrin pjesë.
“Besoj se fëmijët mund të na mësojnë shumë dhe se duhet të rizbulojmë vlerat, thesarin brenda qenies njerëzore, faktin se të gjithë jemi vëllezër dhe motra, të shohim se të gjithë mund të marrim pjesë vërtet në një shoqëri, që e do paqen, që kërkon paqe, që e mirëpret tjetrin pavarësisht nga dallimet. Nëse të gjithë punojmë për të arritur paqen, mund të kapërcejmë shumë situata, që sjellin konflikt dhe urrejtje”.
Bari i Kishës Universale
Më pas, gazetarët pyesin për rëndësinë, që i jep vetë Leoni XIV, faktit se është Papa i parë nga Shtetet e Bashkuara. Ipeshkvi i Romës sqaroi: "E mendoj veten më shumë si Papë, që, vetëm rastësisht, është amerikan". Ati i Shenjtë nënvizon se e do fort atdheun e vet, por misioni i tij është të jetë “bari i Kishës universale", në gjendje të dialogojë me të gjithë botën.
“Prandaj, i vendos gjërat në këtë rend dhe, në të njëjtën kohë, e pranoj se, si për mua, ashtu edhe për popullin e SHBA-së, duke gjykuar nga reagimi që pamë nga 8 maji i vitit të kaluar, të jesh Papa i parë amerikan ka rëndësi të madhe”.
Leoni XIV e bën të qartë edhe se çfarë i pëlqen më shumë nga Amerika:
“Gjithçka përfaqëson Amerika: ndjenjën e lirisë, mundësitë për të gjithë, faktin se për breza me radhë, njerëz nga e gjithë bota janë ftuar të jenë pjesë e Amerikës”.
Papa dëshiron të shkojë në SHBA
Papa kujton se ai vetë vjen nga një familje migrantësh, ndërsa nga ana e nënës, ka pasur njerëz që kanë qenë skllevër, por edhe pronarë skllevërish. Amerikanët kanë bërë hapa të mëdha përpara e Ati i Shenjtë vijon t’i mbështesë parimet, që e kanë bërë Amerikën pikë referimi për shumë vetë. E dëshiron të shkojë në atdheun e tij edhe si Papë.
“Do të më shohin atje. Rastësisht, pikërisht sot po shikonim kalendarin për dy vitet e ardhshme. Asgjë nuk është finalizuar ende, por shpresoj shumë të shkoj së shpejti”.
Migrantët të kenë shpresë
Mendimi i fundit i Papës u drejtohet migrantëve.
“Kini shpresë. Sigurisht, përpiquni të jetoni në mënyrë të rregullt. Duhet ta pranojmë se, nëse ndokush kryen krime ose shkelje, nuk mund ta ndërtojmë shoqërinë në këtë mënyrë. Prandaj, duhet të mësojmë të jetojmë në paqe, por duhet të kemi edhe guxim e shpresë, që do të na ndihmojnë gjithmonë”./Radio Vatikani