Thirrja për lutje dhe falënderimi për nismat e solidaritetit ndaj popullit ukrainas, veçanërisht nga ana e Polonisë. Kështu u shpreh Papa Leoni XIV në përfundim të audiencës së sotme përgjithshme mbajtur në Sallën Pali VI.
Mendimi i Papës, në përfundim të audiencës së sotme përgjithshme, më 4 shkurt, në Sallën Pali VI, iu kushtua Ukrainës, e cila prej ditësh është sërish e goditur nga sulme të rënda ushtarake ruse që e bëjnë gjithnjë e më të vështirë jetën e popullsisë civile. Shpesh njerëzit janë në errësirë, duhet të përballen me të ftohtin dhe me vështirësitë e rënda që kjo situatë sjell me vete. Prej këtu vjen edhe thirrja e Leonit XIV:
“I nxis të gjithë të mbështesin me lutje vëllezërit dhe motrat tona në Ukrainë, të sprovuar rëndë nga pasojat e bombardimeve që kanë rifilluar të godasin edhe infrastrukturat energjetike”.
Ngrohtësia e solidaritetit
Në këtë kontekst të vështirë, megjithatë, shkëlqen drita e solidaritetit të vendeve fqinje dhe e mbështetjes së Kishës, e cila që në fillim të luftës është angazhuar në vijën e parë për të sjellë ndihma.
“Shpreh mirënjohjen time për nismat e solidaritetit të promovuara në dioqezat katolike të Polonisë dhe të vendeve të tjera, të cilat punojnë për të ndihmuar popullsinë të rezistojë në këtë kohë të ftohti të madh”.
Vetëm pak javë më parë, Lëmosharia Apostolike kishte bërë thirrje për të mbështetur popullsinë ukrainase, duke kërkuar që të sillen veshmbathje, ngrohëse dhe ushqime të konservuara pranë Bazilikës së Shën Sofisë në Romë, një qendër e rëndësishme e ndihmës për popullsinë civile të vendit lindor. Fjalët e Papës vijnë pas një nate të re sulmesh ndaj Harkivit dhe Odesës, pikërisht në kohën kur në Abu Dabi hapen negociatat mes Kievit dhe Moskës me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës./Radio Vatikani