Marrëveshja Izrael-Hamas: Atë Romanelli, “ lirimi i pengjeve një hap i vërtetë drejt paqes, Gaza është shkatërruar”
Marrëveshja Izrael-Hamas: Atë Romanelli, “ lirimi i pengjeve një hap i vërtetë drejt paqes, Gaza është shkatërruar” 14.10.2025 | 03:52
Lirimi i pengjeve izraelitë dhe i të burgosurve palestinezë të jetë "hapi i parë i një rruge të vërtetë drejt paqes", thotë famullitari i Gazës, Atë Romanelli, i cili bën thirrje të mos harrohen nevojat e rënda të popullsisë së Gazës që ka humbur praktikisht gjithçka. Ftohti dhe dimri që po vjen do të përkeqësojnë situatën, paralajmëron ai.
 
“Shpresojmë dhe lutemi që ajo që ndodhi më 13 tetor 2025 të jetë hapi i parë i një rruge të vërtetë drejt paqes. Kultivojmë shpresën se lufta nuk do të vazhdojë. E dimë që nuk do të jetë e lehtë, por jemi gjithashtu të vetëdijshëm se ata që nuk duan luftën janë shumë më tepër se ata që do të donin ta vazhdonin. Lutemi për paqe dhe drejtësi. Dëshira jonë është që të gjithë njerëzit e përfshirë në këtë konflikt të mund të kthehen të jetojnë dhe të rindërtojnë jetën e tyre këtu në Gaza, ku, është mirë të kujtojmë përsëri, mungon gjithçka”.
 
Situata në Rrip
 
Atë Gabriel Romanelli, famullitar i Famullisë së Shenjtë të Gazës, e vetmja famulli katolike në Rrip, komenton për agjencinë e lajmeve Sir lirimin, dje, të pengjeve izraelitë pas 738 ditësh, dhe lirimin e të burgosurve palestinezë. Një falënderim i veçantë drejtuar Zotit në Meshën e së dielës, "e para Meshë pas dy vitesh, pa bomba". Shpresa e famullitarit të Gazës, me origjinë argjentinase, është që së shpejti situata në Rrip të përmirësohet, sepse, kujton ai, "këtu situata është vërtet e tmerrshme. Për aq sa mundemi, duke falënderuar Zotin, vazhdojmë të ndihmojmë refugjatët tanë (rreth 450, shën. red.) brenda famullisë, banorët e lagjes dhe njerëzit më në nevojë duke bashkëndarë atë që kemi nga ushqimi, uji, ilaçet. Por mungon gjithçka dhe çdo ditë kemi gjithnjë e më pak, mungojnë sidomos energjia elektrike, uji, karburanti dhe ilaçet", thekson Atë Romanelli, i vetëdijshëm se për të riparuar pasojat katastrofike të luftës nuk do të mjaftojnë pak vite.
 
Falja e pajtimi
 
Megjithatë, duket se ka disa shenja konkrete ndihme. "Kanë mbërritur – shpjegon Atë Romanelli – ndihma ushqimore në famullinë tonë në Gaza.
 
Bëhet fjalë për fruta dhe perime që po përpiqemi t'i shpërndajmë së bashku me famullinë greko-ortodokse të Shën Porfirit". Megjithatë, thekson famullitari, "veprimeve konkrete të ndihmës duhet t'u shtohen akte pajtimi, bamirësie dhe faljeje". Falja, në fakt, është çelësi që mund të shkatërrojë çdo rezistencë: "Duhet t'i falim të gjithë" thekson Atë Romanelli. Falja mund të ndriçojë errësirën e Gazës. Në këto orë të para të armëpushimit, shumë të krishterë, pohon misionari argjentinas, "kanë dalë nga famullia për të shkuar të shohin çfarë ka mbetur nga shtëpia e tyre. Midis tyre ka pasur nga ata që nuk kanë arritur as të afrohen në lagjen ku jetonin para luftës për shkak të kaosit të madh që mbretëron në Rrip, gjysma e të cilit është në duart e ushtrisë izraelite. "Gaza është shkatërruar – thekson famullitari – më keq se një tërmet, e përmbytur nga një cunami. Me frikën gjithmonë të gjallë se mund të vijë një valë tjetër. Pak ose asgjë nuk ka mbetur në këmbë".
 
Për të kuptuar më mirë se çfarë është Gaza sot, Atë Romanelli tregon për një familje të krishterë e cila, pasi verifikoi se shtëpia e tyre ishte shkatërruar nga bombardimet izraelite, shkoi të jetonte me të afërmit e tyre në katin e katërt të një pallati të shkatërruar përgjysmë: "ata ngritën një panel druri për të mbyllur një mur të shembur dhe për të krijuar një dhomë ku të mund të qëndronin. Një zgjedhje e diktuar nga i ftohti i afërt, nga shirat.
 
Është urgjente që të mbërrijnë ndihmat
 
Jemi në pragun e dimrit dhe së shpejti këtu në Gaza do të jetë një katastrofë. Popullsia nuk ka më asgjë dhe është urgjente që të mbërrijnë ndihmat e premtuara, jo vetëm ushqim por edhe struktura për t'u strehuar. Përndryshe do të jetë një katastrofë. Shpresojmë – përfundon Atë Romanelli – në punën e komunitetit ndërkombëtar. Kemi nevojë për ndihma dhe që të hiqen shkaqet e kësaj lufte. Sot njerëzit vdesin edhe pa bomba. Vdesin nga mungesa e kujdesit, e ujit të pijshëm, e ushqimit". Ndërkohë në Kishën famullitare vazhdojmë  të lutemi për paqe e për të shmangur një tjetër luftë,  thotë Atë Romanelli dhe fton të "mendojmë për të tashmen dhe të ardhmen tonë". Të shkojmë përtej marrëveshjes së paqes së arritur me ndërmjetësimin e Trumpit dhe të imagjinojmë një "vizion tjetër" të bazuar në "barazinë" mes dy popujve. Tani duhet "një udhëheqje e re, një qeveri e re, një mentalitet i ri" për të dy./Radio Vatikani
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Pastë me spinaq e djath Zieni pastat. Përderisa zihen pastat, përgatisni sosin. Në një tigan të thelle shkrni buterin,
Ëmbëlsirë e shpejtë nga mollët dhe arrat: Desert perfekt i gatshëm për gjysmë ore! Kombinimi i mollëve dhe i arrave përbën shije të vërtetë.
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Supë me patate dhe selino Selinoja është një perime e mrekullueshme e njohur gjërësisht për vetitë detoksifikuese të
Tost dietik integral me gjethe selinoje Mënyra e përgatitjes: Përhapni gjalpin e kikirikut mbi 2 fetat e bukës.