Ekspertë ushtarakë nga më shumë se 30 vende do të mblidhen sot dhe nesër në Londër, për të diskutuar një mision të përbashkët ndërkombëtar që synon rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, sipas Ministrisë britanike të Mbrojtjes.
Këto takime synojnë të vazhdojnë punën e nisur javën e kaluar në një konferencë të udhëhequr nga presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri britanik Keir Starmer, për të organizuar qarkullimin e anijeve në Ngushticën e Hormuzit pasi të përfundojë lufta, raporton “NBC News“.
Duke folur për këtë samit, sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healey, tha se qëllimi kryesor është të sigurohet liria e lundrimit në këtë ngushticë.
“Tregtia ndërkombëtare, siguria e energjisë dhe stabiliteti i ekonomisë botërore varen nga lundrimi i lirë” tha Healey.
“Duke bashkëpunuar më ngushtë dhe duke planifikuar veprime të përbashkëta efektive, mund të ndihmojmë në rihapjen e ngushticës, stabilizimin e ekonomisë globale dhe mbrojtjen e njerëzve tanë”, ka shtuar ai.