Audiencë me drejtuesit dhe personelin e ITA Airways, linjë ajrore kombëtare italiane që shoqëron Papët në udhëtimet ndërkombëtare. Leoni XIV do ta përdorë këtë shërbim për shtegtimin drejt Afrikës, në prill. Gjatë fjalimit të tij, Papa kujtoi problemet ndërkombëtare dhe denoncoi bombardimet ajrore që, pas konflikteve të shekullit të 20-të, "duhej të ishin ndalur përgjithmonë" e "megjithatë janë akoma”. "Zhvillimi teknologjik është vënë në shërbim të luftës: e ky nuk është progres, po regres!"
"Aeroplanët duhet të jenë gjithmonë transportues të paqes, kurrë të luftës!". Leoni XIV shikon drejt qiellit, prej të cilit askush nuk duhet të ketë frikë nga "kërcënimet e vdekjes e të shkatërrimit". Skena aktuale ndërkombëtare, plot me raketa e bastisje në Lindjen e Mesme, thotë të kundërtën. E Papa - duke takuar drejtuesit dhe personelin e ITA Airways, linjë ajrore kombëtare italiane që e shoqëron në udhëtimet e tij nëpër botë - shpreh ankesën, që tingëllon si vajtim i trishtuar.
Pas përvojave tragjike të shekullit të 20-të, bombardimet ajrore duhet të ishin ndaluar përgjithmonë! Ndërsa - siç e dimë - janë akoma, e zhvillimi teknologjik, pozitiv në vetvete, vihet në shërbim të luftës. Ky nuk është progres, është regres!
Rrugët e Paqes
Përballë gjithë kësaj, vijon Leoni në fjalimin e tij, "bëhet edhe më e rëndësishme të hartohen në qiell rrugë paqeje". Këtë e bën Papa e këtë kanë bërë të gjithë Papët përmes udhëtimeve apostolike, gjatë të cilave Ipeshkvi i Romës "u duket të gjithëve si lajmëtar i paqes".
Rrugët e tij janë ato që duhet të jenë gjithmonë: ura dialogu, takimi dhe vëllazërie.
Shtegtimet papnore janë "simbolet më kuptimplote të misionit të Pasardhësve të Pjetrit në epokën bashkëkohore". Një traditë e filluar në vitin 1964 nga Pali VI, me shtegtimin historik në Tokën Shenjte, në viset e lindjes së Krishterimit, e vazhduar nga të gjithë Papët, që e pasuan; së pari, e më kryesori, Gjon Pali II, Papa globe-trotter me 104 udhëtime jashtë vendit, pastaj Benedikti XVI, me 24 udhëtime ndërkombëtare dhe Françesku, me 47 turne në 66 vende.
Udhëtimi në Afrikë, në prill
Një udhëtim i pandërprerë nëpër pesë kontinente, i lidhur "në mënyrë të veçantë" së pari me Alitalia-n, e tani me ITA Airways dhe personelin e tyre, të përbërë jo vetëm nga "profesionistë të kualifikuar dhe me përvojë", por edhe nga "njerëz të aftë për të krijuar një mjedis të qetë, pothuajse familjar, ku respekti lidhet ngusht me devocionin", pohoi Papa Leoni XIV, që do të fluturojë me ITA më 13 prill, datë e fillimit të shtegtimit të tij të gjatë apostolik në Afrikë, i dyti, pas Turqisë dhe Libanit, në nëntor-dhjetor 2025 (duke përfshirë një ndalesë të shkurtër në Principatën e Monakos më 28 mars, të cilën Papa do ta arrijë me helikopter).
Algjeria, Kameruni, Angola dhe Guinea Ekuatoriale janë destinacionet ku Papa do të arrijë falë ITA Airways.
Vëmendje dhe mirënjohje
"Takimi me ju - tha Papa Leoni gjatë audiencës - më krijon mundësinë të shpreh vlerësimin dhe mirënjohjen time personale, dhe atë të Selisë së Shenjtë, për këtë shërbim të çmuar". Papa shpreson se "në frymën e këtij bashkëpunimi të konsoliduar dhe të përzemërt", mirëseardhja që do t’i bëhet atij, shoqëruesve të tij dhe gazetarëve shoqërues, "do të vazhdojë të pasqyrojë atë vëmendje dhe mirësi të veçantë, që kohërat në të cilat jetojmë e bëjnë gjithnjë e më të nevojshme".
Ju falënderoj sepse, në misionin që Zoti ma besoi, e di se mund të mbështetemi tek ju./Radio Vatikani