“Paqja kërcënohet nga përparimet teknologjike që favorizojnë militarizimin e inteligjencës artificiale”. Me këto fjalë, Papa Leoni XIV, gjatë audiencës me pjesëmarrësit e Asamblesë Plenare të Dikasterit për Dialogun Ndërfetar, fton të gjithë të rizbulojnë kuptimin e “çarmatimit të gjithanshëm, i cili nuk mund të realizohet vetëm përmes marrëveshjeve politike apo thjesht pakësimit të armëve”. Kisha, thekson Papa, është e thirrur të mbjellë “farat e besimit” përmes dialogut.
“Dialogu” është fjala që përsëritet më shpesh në fjalimin e Papa Leoni XIV drejtuar pjesëmarrësve të Asamblesë Plenare të Dikasterit për Dialogun Ndërfetar, të cilët u pritën paraditen e sotme, më 26 nëntor, në Vatikan, në përfundim të dy ditëve të diskutimeve në Romë, me temë: “Kontributi i dialogut ndërfetar në edukimin për një paqe të çarmatosur dhe çarmatosëse”.
Në qendër të reflektimit të Papës ishte edhe një pasazh nga enciklika Magnifica humanitas: “të takohemi, të dialogojmë, të negociojmë!”; tri ftesa për të kundërshtuar fragmentarizimin e panoramës së sotme gjeopolitike. Dialogu i vërtetë është veçanërisht i nevojshëm, sidomos aty ku ndarjet dhe tensionet janë më të theksuara. Në mënyrë paradoksale, ndërsa popujt dhe kombet janë gjithnjë e më të ndërlidhur, frika, rivaliteti dhe përjashtimi vazhdojnë t'i largojnë ata nga njëri-tjetri. Konfliktet e armatosura, dobësimi i besimit në bashkëpunimin shumëpalësh dhe manipulimi i fesë për qëllime politike na sfidojnë që të ripërtërijmë angazhimin tonë për ndërtimin e paqes.
Harmonia e themeluar mbi të vërtetën
Leoni XIV thekson se luftërat e sotme po i vënë në sprovë të rëndë “lidhjet e familjes njerëzore” dhe, për këtë arsye, nënvizon rëndësinë e dialogut ndërfetar, i cili, duke qenë shprehje e misionit ungjillëzues të Kishës, “nuk i komprometon parimet e Ungjillit” dhe as nuk e dobëson thirrjen e saj misionare. “Dialogu dëshmon një harmoni të themeluar mbi të vërtetën, të mishëruar në dashuri dhe të mbështetur nga shpresa”, shton Papa.
Çarmatimi i gjithanshëm
Duke kujtuar detyrën e Kishës “për të qëndruar pranë të gjithë atyre, dinjiteti i të cilëve kërcënohet, dhe për t'u dhënë shpresë atyre që jetojnë në një realitet të shënuar nga dhuna dhe vuajtja”, Ati i Shenjtë Leoni XIV paralajmëron kundër “militarizimit të inteligjencës artificiale”, i cili kërcënon paqen, sepse ka fuqi vendimmarrëse mbi jetën dhe vdekjen e njerëzve.
Këto sfida ndaj harmonisë, së bashku me të tjera që burojnë nga përparimi teknologjik, na ftojnë të rizbulojmë kuptimin e “çarmatimit të gjithanshëm”, i cili nuk mund të realizohet vetëm përmes marrëveshjeve politike apo thjesht pakësimit të armëve. Përballja me to kërkon një transformim të thellë të zemrave dhe mendjeve.
Një kulturë e takimit
Ndriçuese në këtë drejtim janë fjalët e Shën Gjonit XXIII në enciklikën Pacem in terris, ku ai theksonte se çarmatimi i plotë kalon përmes ndryshimit të shpirtit të njerëzve. Në këtë frymë, Papa Leoni XIV kujton se “fetë kanë një rol thelbësor për të luajtur, edhe duke paralajmëruar kundër tundimit gjithnjë e më të madh për t'i shndërruar në armë madje edhe mendimet dhe fjalët”.
Prandaj, rol qendror merr edukimi, sepse paqja kalon përmes “një mënyre të marrëdhënieve me të tjerët që respekton dinjitetin e çdo personi njerëzor”, për të kapërcyer urrejtjen, mëritë dhe indiferencën. Në një epokë kur frika dhe paragjykimet përhapen kaq lehtë, veçanërisht në mjediset digjitale, është e nevojshme të promovohet një kulturë e takimit, për t'i ndihmuar të rinjtë të komunikojnë në mënyrë të përgjegjshme, të gjykojnë me urti dhe të ndërtojnë ura përtej dallimeve.
Të ndërtojmë ura
Edukimi për paqen dhe edukimi për dialogun janë, sipas Papës, dy pika të palëkundura për të ndërtuar ura dhe për të kapërcyer ndarjet. Dialogu duhet të ushqehet në familje, në famulli, në shkolla dhe në vendet e punës, “në mënyrë që të bëhet pjesë përbërëse e jetës së përditshme dhe jo thjesht një taktikë apo një instrument”.
Prej këtu vjen edhe ftesa drejtuar çdo Kishe lokale “për të mbjellë me durim, përmes dialogut, farat e besimit, të mirëkuptimit të ndërsjellë dhe të vëllazërisë”. Me kalimin e kohës, këto fara do të mund të japin fryte në shërbim të harmonisë dhe të zhvillimit të gjithanshëm të çdo personi njerëzor. Të mos lodhemi kurrë duke ndërtuar ura, duke kapërcyer ndarjet dhe duke dëshmuar shpresën dhe paqen që janë dhuratë e Zotit të Ngjallur./Radio Vatikani