Në përshëndetjet në gjuhët e ndryshme gjatë audiencës së përgjithshme, Leoni XIV kujton shenjtorët Çirilin dhe Metodin, pajtorët e Evropës, dhe pastaj bën një apel për përmbytjet e rënda në Kolumbi. Papa kujton edhe Ditën Botërore të të Sëmurëve, që kremtohet sot në Chiclayo, në Peru. Një përvjetor që nderohet edhe pranë Shpellës së Zojës Lourdes, në Kopshtet e Vatikanit.
Shenjtorët Çirili dhe Metodi, apostujt e sllavëve dhe pajtorët qiellor të Evropës, mund të ndihmojnë për t’i dhënë forcë Evropës. Ky është mendimi i Papës Leoni, i cili, gjatë përshëndetjes drejtuar shtegtarëve polakë, të pranishëm në audiencën e sotme të përgjithshme, kujton "ata që janë 'etër të krishterimit, të gjuhës dhe të kulturës së popujve sllavë'", të cilët kalendari liturgjik i kujton më 14 shkurt të ardhshëm.
Të kthehemi tek vepra e tyre apostolike – siç inkurajonte Shën Gjon Pali II – në ndërtimin e një uniteti të ri të kontinentit evropian, për të kaluar përtej tensioneve, ndarjeve dhe kundërshtive – fetare dhe politike.
Lutja për të sëmurët
Apeli për unitetin e Evropës vjen në Ditën e sotme Botërore të të Sëmurëve, dhe Papa për ta kremtuar këtë ditë shkon në Kopshtet e Vatikanit.
Pas përfundimit të audiencës, do të shkoj në shpellën e Zojës së Lourdes në Kopshtet e Vatikanit dhe do të ndez një qirinj, si shenjë e lutjes sime për të gjithë të sëmurët, të cilët sot, në Ditën Botërore të të Sëmurëve, i kujtojmë me një dashuri të veçantë.
Apeli për solidaritetin me Kolumbinë
Në spanjisht, Leoni XIV kujton se Dita Botërore e të Sëmurëve të këtij viti kremtohet në Shenjtëroren e Nuestra Señora de la Paz, në Chiclayo, në Peru, një vend i dashur për Papën Prevost. "Do të bashkohem shpirtërisht," thotë Ati i Shenjtë, i cili ka dërguar në Peru kardinalin Michael Czerny, prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm të Njeriut. Zojës Mari të Lourdes ia beson të sëmurët dhe familjet e tyre.
Nën mbrojtjen e saj, gjithashtu, ia besoj viktimat dhe të gjithë ata që janë prekur nga përmbytjet e rënda në Kolumbi, duke i inkurajuar të gjithë besimtarët të mbështesin me bamirësi dhe lutje familjet e prekura.
Zojës Mari të Lourdes, Papa Leoni XIV në përshëndetjen e tij në italisht, ia beson të rinjtë, të sëmurët dhe të sapomartuarit, që "të ndërhyjë për ju pranë Zotit dhe t'ju sigurojë hirin që t'ju mbështesë në rrugën tuaj".
Kreshmët, kohë lutjeje
"Të mërkurën që vjen fillon periudha e Kreshmëve", tha Papa në anglisht e duke e përcaktuar këtë periudhë të Kreshmës si një kohë të nevojshme "për të thelluar njohurinë dhe dashurinë tonë për Zotin, për të shqyrtuar zemrat dhe jetët tona, si dhe për të përqendruar sërish shikimin tonë tek Jezu Krishti dhe tek dashuria e tij për ne".
Le të jenë këto ditë lutjeje, agjërimi dhe bamirësie një burim force, ndërkohë që përpiqemi çdo ditë të marrim kryqin tonë dhe të ndjekim Krishtin./Radio Vatikani