Thirrja e Papës gjatë audiencës së përgjithshme për mbrojtjen e jetës, që nga fillimi e deri në fundin e saj të natyrshëm, me një mendim për ata, që jetojnë në zona konflikti: kjo, përshëndetja e Leonit XIV për besimtarët nga Polonia, ku 25 marsi shënon Ditën e Shenjtërisë së Jetës. Në fjalët për shtegtarët francezë, ftesa që të luten për barinjtë e Kishës, në mënyrë që ata t’i ndihmojnë besimtarët "të impenjohen aktivisht në Kishë".
Ndërsa konfliktet dhe armiqësitë vazhdojnë të mbjellin vdekje në Lindjen e Mesme, nga Sheshi i Shën Pjetrit, gjatë audiencës së përgjithshme, Papa Leoni XIV bën thirrje edhe një herë për mbrojtjen e jetëve njerëzore. Në përshëndetjen për shtegtarët polakë, kujtoi se sot, 25 mars, kremtohet në Poloni Dita e Shenjtërisë së Jetës, e cila promovon birësimin shpirtëror të një fëmije në barkun e nënës, nismë e mbështetur nga Papa shenjt Gjon Pali II në vitin 1994 dhe tani, e përhapur në mbarë botën. Është fjala për një lutje të përditshme gjatë nëntë muajve të fëmijës në barkun e nënës, sidomos për ata, që e kanë jetën në rrezik. Nisma "vërtet të nevojshme", komentoi Leoni XIV, i cili bëri një thirrje të re:
“Në një kohë të shënuar nga çmenduria e luftës, ka rëndësi të mbrohet jeta, që nga zënia deri në fundin e saj të natyrshëm”.
Të impenjohemi për paqen
Duke iu drejtuar besimtarëve frëngjishtfolës, Ipeshkvi i Romës përsëriti ftesën për të nxitur harmoninë ndërmjet popujve dhe kërkoi lutje për të mbështetur punën e atyre, që u është besuar udhëheqja e Popullit të Zotit.
“Të lutemi për barinjtë e Kishës, që, duke punuar me kolegjialitet e bashkim, të shpallin me zjarr Lajmin e Mirë dhe t'i ndihmojnë besimtarët të impenjohen aktivisht në edifikimin e Kishës dhe në ndërtimin e një bote në paqe”.
Së fundi, Papa inkurajoi besimtarët e Tokës Shenjte dhe kujtoi festën e sotme të Lajmërimit të Zotit, duke i ftuar të gjithë të ndjekin shembullin e Shën Marisë Virgjër, gati për të kryer gjithmonë vullnetin e Zotit./Radio Vatikani