Fjalët e para të Papës Leoni XIV në vendin që e priti si misionar dhe ipeshkëv janë të mbushura me një dashuri të thellë: “Nëse do të më jepej mundësia t’i jetoja sërish ato vite, do ta bëja përsëri me gëzim”. Fytyrat, bisedat dhe larmia kulturore e Perusë vazhdojnë ta shoqërojnë shërbesën e tij papnore. Nga Selia e Shën Pjetrit, duke iu drejtuar Trupit Diplomatik, Papa kujtoi se vendimet publike “kanë të bëjnë edhe me ata që jetojnë larg vendeve ku merren këto vendime”.
Është lidhje, që koha nuk e ka zbehur, e përbërë nga fytyra, takime, buka e ndarë në të njëjtën tryezë dhe nga feja e mësuar përmes njerëzve. Me këtë kujtesë në zemër, Leoni XIV mbërrin në Gran Teatro Nacional të Limës, për takimin me autoritetet, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe Trupin Diplomatik, në orën 19.45 të datës 11 nëntor, por në orën 01.45 të datës 12 nëntor, sipas orës evropiane. Pas interpretimit të dy këngëve të traditës peruviane, si edhe pas fjalës përshëndetëse të presidentes së Perusë, Keiko Sofía Fujimori Higuchi, Papa mbajti fjalimin e tij. Takimi përfundoi me një valle tradicionale peruviane, Marinera «Que viva Chiclayo».
«Në vitin 2015 mora nënshtetësinë peruviane. Ky gjest shprehu lidhjen, që ky popull kishte krijuar në jetën time prej kohësh. Sot e kuptoj se sa shumë nga kjo tokë mbetet brenda meje dhe sa shumë nga vetë historia ime ju përket edhe juve».
Politika si thirrje dhe shërbim
Kujtimi i viteve të kaluara si misionar dhe më pas si ipeshkëv i Chiclayos shndërrohet në një reflektim mbi kuptimin e përkatësisë. Peruja, me rrënjët e saj keçuane, aimara, amazone, afro-peruviane dhe aziatiko-peruviane, është një mozaik kulturash, pasuria e të cilit qëndron te uniteti në larmi.
Duke u folur institucioneve, Leoni XIV kujtoi se të qeverisësh do të thotë para së gjithash t’i njohësh dhe t’i dëgjosh njerëzit, sidomos ata që jetojnë larg qendrave të vendimmarrjes. Në një vend të përshkuar nga tensionet politike, brishtësia institucionale dhe problemet e sigurisë, thirrja për të besuar në demokraci merr kuptim të veçantë.
«Jeta demokratike bashkon njerëz me bindje dhe aspirata të ndryshme, të bashkuar nga një fat i përbashkët kombëtar. Institucionet ofrojnë kanale përmes të cilave këto dallime mund të shprehen dhe bëjnë të ndiqen rrugë mirëkuptimi».
Dinjiteti i punës dhe paqja e përditshme
Paqja, nënvizon Papa, nuk është një koncept abstrakt: për një familje ajo do të thotë të kesh mundësinë për të jetuar i qetë. Prej këtu buron vëmendja ndaj fermerëve, peshkatarëve, tregtarëve të vegjël dhe të gjithë atyre, që mbështesin ekonominë e vendit, por edhe ndaj personave që jetojnë në varfëri dhe në kushtet e punësimit informal.
«Për familjet, paqja ka domethënie shumë konkrete: të shkosh në punë pa frikë, të kujdesesh për fëmijët dhe të kthehesh në shtëpi me qetësi. Janë aspirata të thjeshta, por askush nuk duhet të privohet prej tyre».
Të rinjtë, gratë dhe kujdesi për më të brishtët
Shkolla, shëndetësia dhe mundësitë profesionale janë shtylla të tjera të zhvillimit të vërtetë. Papa falënderoi mësuesit, inkurajoi të rinjtë, që kërkojnë punën e tyre të parë dhe tërhoqi vëmendjen ndaj të moshuarve, personave me aftësi të kufizuara, familjeve që kujdesen për të sëmurët dhe grave, protagoniste të jetës shoqërore dhe komunitare.
Të ruajmë Krijimin, të përpiqemi për vëllazërimin
Nga Andet te Amazona, deri në brigjet e Paqësorit, pasuria natyrore e Perusë kërkon respekt dhe përgjegjësi. Edhe teknologjia dhe inteligjenca artificiale, vërejti Leoni XIV, duhet të mbeten në shërbim të dinjitetit njerëzor. Vështrimi i tij u shtri më pas drejt bashkëpunimit ndërkombëtar, migracionit dhe diplomacisë, e cila nuk duhet të heqë dorë kurrë nga dialogu.
«Çdo komb ka aspirata legjitime, por asnjë nuk mund ta konsiderojë të huaj fatin e kombeve të tjera. E inkurajoj Perunë të vazhdojë të japë kontributin e saj në bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar dhe të nxisë mirëkuptimin edhe kur qëndrimet duken të papajtueshme».
Në fund, duke ia besuar vendin ndërmjetësimit të Virgjërës Mari dhe të Shën Rozës së Limës, Papa ripërtëriu dashurinë e tij për një tokë, që e ndien thellësisht si të vetën: të shihet tek çdo peruvian vëllai a motra, sepse ta duash atdheun do të thotë, para së gjithash, të kujdesesh për njerëzit që jetojnë në të./Radio Vatikani