Dikasteri për Shërbimin e Bamirësisë miratoi nismën që do të zbatohet nga organizata bamirëse "Cross Catholic Outreach" në mbështetje të fëmijëve të prekur nga konflikti. Makina e Papës, e cila quhet «Papamobile», do të udhëtojë nëpër Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të nxjerrë në pah gjendjen e vështirë të viktimave të luftës. Do të ketë edhe duke çaste lutjeje dhe reflektimi. Pas audiencës së përgjithshme, kryetarja e Dikasterit, Sagarino përshëndeti Papën Leoni XIV.
"Bamirësia, gur i themelit të jetës së krishterë, nuk duhet të mbetet thjesht teori, por duhet të zbatohet në praktikë, duke u bërë shërbim." Fjalët e Lëmoshtarit të Selisë së Shenjtë, Imzot Luis Marín de San Martín, e shpjegojnë qartë kuptimin e kësaj nisme të re të Dikasterit të Vatikanit për Shërbimin e Bamirësisë, i cili gjithmonë ka vepruar me mandatin e Papës.
Dje, më 28 prill, vetë Prefekti ia dorëzoi çelësat e «Papamobile»-es Michele [Mishel] Sagarinos, kryetare e organizatës bamirëse amerikane "Cross Catholic Outreach". Dje paradite, kryetarja përshëndeti Papën Leonin në fund të audiencës së përgjithshme, duke përshkruar punën e organizatës, e cila më parë ka ndihmuar edhe Dioqezën e Çiklajos. Kjo vizitë shënoi në mënyrë domethënëse fillimin e nismës "American Catholic Heroes:
Udhëtimi Rrugor për Shpresën", një udhëtim nëpër Shtetet e Bashkuara, përafërsisht 3,700 milje nga Nju Jorku në Kaliforni, për të mbështetur fëmijët dhe personat e cenueshëm që përjetojnë pasojat e luftës, por edhe për të krijuar mundësi për lutje. E njëjta organizatë do të organizojë, promovojë dhe mbarështojë, më pas, një ankand të madh bamirësie në Shtetet e Bashkuara, me të ardhurat që do të derdhen për veprat bamirëse të këtij Dikasterit vatikanas.
Solidaritet dhe Ungjillëzim
Sipas imzot Luis Marín de San Martín, nisma për të dorëzuar «Papamobile»-n ka një vlerë shoqërore nga këndvështrimi i solidaritetit me ata që kanë më shumë nevojë dhe gjithashtu shërben për të "forcuar lidhjet me Atin e Shenjtë dhe për të promovuar ungjillizimin". "Jam mirënjohës ndaj «Cross Catholic Outreach»," deklaroi Lëmoshtari i Selisë së Shenjtë, "i cili bashkëpunon prej kohësh me Dikasterin për Shërbimin e Bamirësisë, duke e mbështetur atë bujarisht." Puna e kësaj organizate bamirëse, e themeluar pothuajse 25 vjet më parë, shtrihet në pjesë të ndryshme të botës, dhe ka ndihmuar në 32 vende vetëm në vitin 2024, përfshirë Malauin, Zambien dhe Haitin, me 279 projekte, duke investuar në programe shëndetësore dhe bujqësore, duke siguruar ushqim, ujë, arsim dhe, mbi të gjitha, mbështetje shpirtërore.
"Hopemobile" – Shpresa shëtitëse
Sipas organizatorëve të nismës, «Papamobile »do të shndërrohet kështu në një "Hopemobile", që do të thotë «Shpresë shëtitëse» në rrugët e Shteteve të Bashkuara, një makinë shprese, që u shtrin dorën atyre që vuajnë. Nisma, e cila do të zhvillohet ndërmjet qershorit dhe korrikut 2026, përkon me 250-vjetorin e rëndësishëm të nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, në vitin 1776. Automobili i Papës, do të vizitojë 13 qytete, përfshirë Nju Jorkun dhe Uashingtonin, duke u ndalur në vende si Notre Dame dhe St. Louis, dhe duke vazhduar deri në jugperëndim dhe Kaliforni.
Operacioni ishte porositur dhe autorizuar më parë nga vetë Papa Françesku, me të ardhurat që do të shkonin për të varfrit, veçanërisht për fëmijët viktima të luftës në të gjithë botën. “Shenjtëria e krishterë”, shkruan Papa Leoni te Thirrja e tij Apostolike rreth dashurisë për të varfrit «Dilexi te», “shpesh lulëzon në vendet më të harruara dhe më të plagosura të njerëzimit. Më të varfrit e të varfërve kanë një vend të veçantë në zemrën e Zotit. Ata janë të parapëlqyerit e Ungjillit, trashëgimtarët e Mbretërisë. Është te këta që Krishti vazhdon të vuajë dhe të ringjallet. Është te këta që Kisha rizbulon thirrjen për të kuptuar realitetin e saj më të vërtetë”. Ky është mandati që Dikasteri për Shërbim ndaj Bamirësisë e kryen gjithmonë me përkushtim të madh./Radio Vatikani