Sekretari i Shtetit të Selisë së Shenjtë: “Në Gaza, në Ukrainë dhe në Iran njerëzit vuajnë. Kievi ka të drejtë të mbrohet; për paqen duhet të rikthehemi te vlerat themelore njerëzore”.
Në një intervistë të gjatë, botuar më 4 tetor, në të përditshmen italiane “la Repubblica”, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, i kthyer nga Nju Jorku, ku mori pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, shqyrton situatën në rajone të ndryshme të botës të përfshira nga dhuna dhe konfliktet dhe rithekson se, për t’i ndalur luftërat, është e nevojshme të dalim “nga logjika e dominimit dhe t’u japim fund pabarazive”.
Kriza e bashkëpunimit shumëpalësh
Kardinali Parolin ndalet te kriza e bashkëpunimit shumëpalësh, e cila, sipas tij, krijon një “pesimizëm të përhapur, që ndihej edhe në OKB”.
Megjithatë, nga kjo mbledhje ai ruan ndjesinë pozitive, që lidhet me “thirrjet e vazhdueshme për rikthimin te parimet e së drejtës ndërkombëtare”.
Kjo mund të ndodhë, saktëson ai, me kusht që – siç nënvizon Leoni XIV në enciklikën “Magnifica humanitas” – vlerat themelore njerëzore të ripohohen universalisht dhe të merret parasysh vullneti politik i çdo protagonisti të jetës ndërkombëtare.
Ai shton gjithashtu se humbja e besimit ndërmjet vendeve është shkaku kryesor i kësaj krize: “Vetëm një proces reformash të vazhdueshme, në gjendje të vlerësojë efektivitetin e strukturave aktuale në dritën e rrethanave të ndryshuara, mund t’i japë jetë një bashkëpunimi të ripërtërirë shumëpalësh”.
Nga Irani në Gaza, shqetësimi është i madh
Përsa i përket situatës në Gjirin Persik, kardinali shpreh shqetësimin e tij të madh “sidomos për çmimin, që po paguan popullsia civile”. Ai ndjek me vëmendje kontaktet jo të drejtpërdrejta – duke pasur parasysh se bisedimet nuk kanë arritur ende në zgjidhje “të qëndrueshme” – me shpresën se ato mund të hapin mundësi për të bërë hapa përpara.
Shqetësim, edhe për situatën humanitare në Gazë, e cila “mbetet jashtëzakonisht e vështirë”. Parolin e konsideron “mrekulli” rihapjen e shkollës së Patriarkatit Latin, e cila mirëpret rreth një mijë nxënës: “shenjë shprese, që Kisha dëshiron t’ua ofrojë të gjithëve”.
Ukraina, një tragjedi e vërtetë
Në Ukrainë, vijon Sekretari i Shtetit të Vatikanit në intervistë, po vijon “një tragjedi e vërtetë”. Afrimi i dimrit e shton shqetësimin: “Një populli nuk mund t’i mohohet e drejta për t’u mbrojtur”. Megjithatë, thekson sërish kardinali Parolin, për Selinë e Shenjtë është e nevojshme “t’i jepet fund konfliktit; prandaj, ajo inkurajon çdo nismë për të arritur një armëpushim të menjëhershëm, të plotë dhe të frytshëm”.
Prelati e përfundon intervistën duke ritheksuar gatishmërinë e Vatikanit për të ndihmuar “me çdo mënyrë”, duke pasur parasysh se ajo, që ka vërtet rëndësi, është respektimi i rreptë i së drejtës ndërkombëtare, përballë intensifikimit të sulmeve, që shkaktojnë vdekjen e njerëzve të pafajshëm. “Një zgjidhje afatgjatë nuk mund të shkëputet nga një impenjim i ri për sigurinë dhe bashkëpunimin në Evropë”./Radio Vatikani