Të paktën 30 persona kanë humbur jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë hekurudhor të ndodhur të mërkurën në mëngjes, pranë Toledos, në Spanjë, transmeton Gazeta Metro.
Sipas një zëdhënësi të qeverisë rajonale, një tren pasagjerësh i shpejtësisë së lartë goditi nga pas një tren tjetër, duke shkaktuar daljen e disa vagonëve nga shinat.
Përplasja ishte aq e fuqishme sa disa vagonë përfunduan poshtë një argjinature. Pamjet e publikuara nga pasagjerët tregojnë vagonë të shkatërruar, rrota të dëmtuara, si dhe bagazhe e ulëse të shpërndara në terren. Ekipet e emergjencës kanë dalë në vendngjarje për t’u ardhur në ndihmë të lënduarve.
Pas aksidentit, organizatat e dhurimit të gjakut u kanë bërë thirrje qytetarëve në zonën e Toledos dhe Ciudad Realit që të paraqiten në spitale për të dhuruar gjak. Sipas tyre, nevojiten urgjentisht të gjitha grupet e gjakut për të plotësuar rezervat dhe për t’u përballur me nevojat e të lënduarve.
Kjo tragjedi ndodh disa muaj pas një tjetër aksidenti të rëndë hekurudhor në Spanjë. Në janar, 46 persona humbën jetën në përplasjen e dy trenave të shpejtësisë së lartë pranë Adamuzit, në jug të vendit. Aksidentet e përsëritura kanë ngritur shqetësime të mëdha për sigurinë e sistemit hekurudhor spanjoll./gazetametro.net