Bilanci i viktimave nga dy tërmetet e fuqishme që goditën Venezuelën më 24 qershor vijon të rëndohet. Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga autoritetet, numri i të vdekurve ka arritur në 3,342, ndërsa 16,740 persona kanë mbetur të plagosur.
Ndërkohë, autoritetet nuk kanë publikuar ende një numër zyrtar të personave të zhdukur. Sipas vlerësimeve të OKB-së, deri në 50 mijë persona mund të rezultojnë ende të pagjetur, ndërsa burime të tjera flasin për rreth 10 mijë të zhdukur.
Pasojat e katastrofës janë të mëdha edhe për banesat. Mbi 16 mijë persona kanë mbetur pa strehë, ndërsa qindra ndërtesa janë shembur plotësisht, duke e bërë situatën humanitare gjithnjë e më të rëndë.
Në qytetin La Huira, një nga zonat më të goditura nga tërmeti, po zhvillohen varrime masive për viktimat. Në varrezat “La Esperanza” janë varrosur mbi 150 trupa të paidentifikuar, ndërsa ekipet e emergjencës vazhdojnë operacionet e kërkim-shpëtimit dhe hapjen e varreve të reja për viktimat që nxirren nga rrënojat.
Autoritetet dhe organizatat ndërkombëtare vijojnë përpjekjet për t’u ardhur në ndihmë mijëra familjeve të prekura nga një prej katastrofave më të rënda natyrore që ka goditur vendin në vitet e fundit.