Thirrje e Papës për Tigray: dialog, konflikti vetëm i ashpërson problemet
Thirrje e Papës për Tigray: dialog, konflikti vetëm i ashpërson problemet 30.09.2026 | 03:02
Në përshëndetjet gjatë audiencës së përgjithshme, në gjuhën angleze, Leoni XIV u drejton të gjitha palëve një thirrje për t’u dhënë fund armiqësive në rajonin e Etiopisë, duke theksuar se “vetëm impenjimi i sinqertë mund të hedhë themelet për një paqe të qëndrueshme”. Polakëve u kujton 30-vjetorin e lumnimit të 13 martirëve greko-katolikë të Pratulinit, të cilët mbrojtën “përkatësinë e tyre në Kishën katolike”, duke ia besuar ndërmjetësimit të tyre “çështjet e unitetit të dishepujve të Krishtit”
 
Papa Leoni XIV e ndjek “me shqetësim të thellë” situatën në Tigray, rajon i Etiopisë, si edhe në rajonet fqinje Afar dhe Amhara, “ku kanë shpërthyer sërish armiqësitë”. Në gjuhën angleze, në përfundim të audiencës së përgjithshme, përpara se të përshëndeste besimtarët italianë, ai u drejtoi palëve në konflikt këtë thirrje:
 
“U bëj një thirrje të zjarrtë të gjitha palëve që të zgjedhin rrugën e dialogut. Konflikti i armatosur nuk i zgjidh kurrë problemet, por vetëm sa i ashpërson ato, duke lënë pas vetes një varg vdekjesh, shkatërrimi dhe pakënaqësie. Vetëm një angazhim i sinqertë mund të hedhë themelet për një paqe të qëndrueshme”.
 
Papa shpreson që bashkësia ndërkombëtare “të japë kontributin e saj bujar dhe në kohë, për të garantuar që të gjitha ndihmat humanitare të mbërrijnë te nevojtarët”.
 
Situata sot në Tigray
 
Situata në Tigray po bëhet gjithnjë e më e tensionuar. Në orët e fundit, Fronti Popullor për Çlirimin e Tigray-t (TPLF), forca kryesore politike e rajonit, që luftoi kundër qeverisë federale gjatë luftës së Tigray-t të viteve 2020-2022, si edhe Forcat e Mbrojtjes së Tigray-t (TDF), forcat ushtarake tigrine që u përballën me ushtrinë etiopiane gjatë së njëjtës luftë, kanë intensifikuar ndeshjet me forcat ushtarake etiopase. Përleshje të shumta janë regjistruar përgjatë lumit Tekeze, në perëndim të Tigray-t, në zonën e Wolkayt-it, në kufi me rajonin Afar, si dhe në zona të ndryshme të Amhara-s. Nga pikëpamja politike, qeveria etiopase akuzon Eritrenë fqinje se mbështet TPLF-në dhe forcat e tjera opozitare, ndërsa qeveria eritrease e mohon me forcë çdo përfshirje në shkallëzimin e dhunës.
 
Shkatërrimet në Etiopi   (AFP or licensors) 
 
Në tetor, t’i kushtohet Rruzarja përfundimit të luftërave
 
Në përfundim të audiencës, gjatë përshëndetjes për shtegtarët italianë, Papa Leoni XIV kujtoi thirrjen e tij, bërë në Lourdes, për të thënë Rruzaren gjatë muajit tetor, duke ia kushtuar atë “në mënyrë të veçantë përfundimit të luftërave dhe arritjes së paqes”.
 
Lumnimi i tre meshtarëve martirë në Bolonjë
 
Gjithashtu, Papa foli për lumnimin e së dielës së kaluar, më 27 shtator, në Bolonjë, të tri meshtarëve martirë: Ubaldo Marchioni, prift dioqezan, Elia Comini, salezian dhe Martino Capelli, dehonian, të vrarë në vitin 1944, “në një fazë dramatike të Luftës II Botërore, për shkak të përbuzjes së trupave naziste ndaj shërbesës së tyre në favor të famullitarëve”.
 
Tri meshtarët martirë: Ubaldo Marchioni, prift dioqezan, Elia Comini, salezian dhe Martino Capelli, dehonian 
 
Martirizimi i Vinçenc Lewoniuk dhe i 12 shokëve të tij
 
Në përshëndetjen drejtuar besimtarëve polakë, Papa kujtoi se 30 vjet më parë, më 6 tetor 1996, Shën Gjon Pali II lumturoi Vinçenc Lewoniuk-un dhe 12 shokët e tij, martirë “deri në derdhjen e gjakut” në Pratulin. Ata “mbrojtën përkatësinë e tyre në Kishën Katolike dhe bashkimin me Pasardhësin e Pjetrit, duke mbetur besnikë ndaj traditës së tyre lindore”. Është fjala për besimtarë të ashtuquajtur “uniatë”, që kanë ruajtur traditën lindore liturgjike (si ortodoksët), por njohin autoritetin e Papës e të Selisë së Shenjtë. Papa ua besoi ndërmjetësimit të tyre “çështjet e unitetit të dishepujve të Krishtit dhe katolikët, që sot përndiqen për shkak të fesë”./Radio Vatikani
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Pastë me spinaq e djath Zieni pastat. Përderisa zihen pastat, përgatisni sosin. Në një tigan të thelle shkrni buterin,
Ëmbëlsirë e shpejtë nga mollët dhe arrat: Desert perfekt i gatshëm për gjysmë ore! Kombinimi i mollëve dhe i arrave përbën shije të vërtetë.
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Supë me patate dhe selino Selinoja është një perime e mrekullueshme e njohur gjërësisht për vetitë detoksifikuese të
Tost dietik integral me gjethe selinoje Mënyra e përgatitjes: Përhapni gjalpin e kikirikut mbi 2 fetat e bukës.