Intervistë me kryeipeshkvin-sekretar të Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, në përfundim të misionit të tij në Ukrainë. “Pashë njerëz të guximshëm, këmbëngulës, të qëndrueshëm, gati të vuajnë për lirinë dhe për paqen. Edhe ne, me mjetet tona, duhet të luftojmë dhe të bëjmë ç’është e mundur në këtë drejtim”, pohom imzot Gallagher, i cili komenton një vizitë të mundshme të Papës: “Me kohën dhe mënyrën, që do të sjellë më shumë fryte”.
Përfundimi i misionit në Ukrainë parashikon një ditë të gjatë udhëtimi për kryeipeshkvin Paul Richard Gallagher, sekretar i Selisë së Shenjtë për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare: janë pothuajse 900 km me makinë nga Kievi në Krakov, duke kaluar përmes Lvivit. Gjatë gjashtë ditëve të qëndrimit në vendin e përfshirë në luftë që nga viti 2014 - konflikt i vijuar me pushtimin rus të shkurtit 2022 - ai zhvilloi takime politike, institucionale, kishtare dhe baritore. Qëllimi kryesor i udhëtimit ishin kremtimet për 35-vjetorin e rihapjes së strukturave të Kishës Katolike Latine në shenjtëroren mariane të Berdyçivit, ku morën pjesë mijëra besimtarë. I dërguar nga Papa Leoni XIV për këtë rast të veçantë, imzot Gallagher preku nga afër vuajtjen dhe lodhjen e popullit, por edhe dëshirën për të rifilluar jetën, shpresën për një paqe të drejtë dhe aspiratën për t’iu rikthyer normalitetit. Në bisedën me mediat e Vatikanit, ai bën një bilanc të kësaj përvoje dhe reflekton mbi ç’mund të bëjë Selia e Shenjtë për të ndihmuar popullsinë, për të favorizuar fundin e luftimeve dhe rindërtimin e një atmosfere pajtimi.
Shkëlqesia Juaj, sapo përfunduat misionin tuaj baritor dhe diplomatik në Ukrainë. Çfarë vendi gjetët dhe çfarë ndjenjash përjetuat?
Më lejoni para së gjithash të falënderoj ata, që e bënë të mundur vizitën. Para së gjithash, Zotin, i cili na udhëhoqi; pastaj, sigurisht, autoritetet ukrainase, të cilat na pritën në kufi dhe na ndihmuan me çdo mënyrë, duke garantuar sigurinë tonë; Kishën Katolike Greke dhe Kishën Latine; dhe, sigurisht, nuncin, kryeipeshkvin Visvaldas Kulbokas dhe bashkëpunëtorët e tij, të cilët na pritën dhe na ndihmuan gjatë gjithë qëndrimit tonë. Pastaj, në përgjigje të pyetjes, mund t’ju them se vizita ime kishte dy qëllime: atë baritor dhe atë diplomatik. Gjeta një frymë të fortë bashkësie dhe feste, shumë përkushtim dhe një popull, që i drejtohet gjithnjë e më tepër Zotit. Është e pamohueshme: duket qartë lodhja e popullit, për shkak të gjithë kësaj dhune. Por, njëkohësisht, pashë një popull të vendosur, të qëndrueshëm dhe të vetëdijshëm për sakrificat e bëra. Më prekën në shpirt guximi i njerëzve, feja e tyre në Hyjin Atë dhe dëshira për të jetuar një jetë sa më normale, duke ruajtur lirinë dhe pavarësinë e tyre.
Të dielën, vizituat shenjtëroren në Berdychiv për të kremtuar festën e Zojës sonë të Malit Karmel. Mijëra njerëz u mblodhën aty pavarësisht nga vështirësitë. Ç’rëndësi ka kjo në një kohë lufte si kjo që po përjetojmë?
Para së gjithash, ishte interesante të shihje dhe të përjetoje përkushtimin që këta njerëz kanë për Zojën. Berdychiv është shenjtërore historike, ku shtegtarët vijnë prej vitesh: në kohë vështirësie dhe sprovash, gjejnë këtu një shkëmb për t'u kapur. Vitet e fundit - për shkak të luftës - nuk ka qenë e mundur të kremtohej mesha në shesh, por vetëm brenda kishës, që zë vetëm disa dhjetëra njerëz. Ndërsa të dielën, mijëra njerëz u mblodhën në lëndinë, mirënjohës për praninë e një përfaqësuesi të Papës, afërsinë e të cilit mund ta ndienin, por edhe thellësisht të përqendruar në lutjen dhe në aktin e përkushtimit ndaj Nënës së Zotit, plot shpresë se ndërmjetësimi i saj mund t'i japë vërtet fund kësaj lufte të tmerrshme.
Prekëse gjatë misionit ishin vizitat në vendet e bombarduara, memoriali i Maidanit dhe njerëzit, që pësuan humbje familjare dhe dëme materiale në shtëpitë e tyre. Në misionin tuaj të mëparshëm, në vitin 2022, ju vizituat edhe Bucha, Irpin dhe Vorzel. Pyetja është: si është e mundur të durohen të gjitha këto për kaq gjatë?
Arma e fesë i mbajti këta njerëz. Ata janë të sigurt se po luftojnë - dhe e thonë këtë hapur - jo vetëm për Ukrainën, por edhe për gjithë Evropën.
Është betejë për mbijetesën e një kombi. Është e tmerrshme të dish sa vdekje ka, të shohësh në memoriale fotografitë e kaq shumë njerëzve, fati e të cilëve është ende i panjohur. Por me këto monumente, ata duan të dëshmojnë guximin e ushtarëve, solidaritetin me ata që vuajnë nën bomba, raketa dhe dronë. Është e vështirë për ne, që jetojmë në paqe, të konceptojmë se çdo natë ka mundësi të mos zgjohemi në mëngjes, për shkak të ndonjë bombardimi të mundshëm, por ky është realiteti.
Cilat janë rezultatet e takimeve tuaja me autoritetet politike dhe institucionale – kujtojmë se biseduat edhe me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky? Dhe cilat mbeten sfidat, që mund të marrë përsipër konkretisht Selia e Shenjtë?
Në kontaktet me autoritetet vumë re mirënjohjen e madhe ndaj Atit të Shenjtë, ndaj thirrjeve dhe fjalëve të tij. Kjo e inkurajon Selinë e Shenjtë të vazhdojë impenjimin e saj me bashkësinë ndërkombëtare dhe me autoritetet ruse, si edhe të vijojë misionet humanitare, si ai i kardinalit Matteo Maria Zuppi, për kthimin e fëmijëve dhe të robërve. Nuk duhet të dorëzohemi; secili prej nesh duhet të luajë rolin e vet, me mjetet që ka në dispozicion, për t’i shërbyer paqes.
Shumë njerëz ju kanë pyetur se kur do ta vizitojë Papa Ukrainën e “martirizuar”. Ç’përgjigje mund të jepni?
Pothuajse të gjithë ata që kam takuar, ma kanë bërë këtë pyetje. Ati i Shenjtë e merr shumë seriozisht këtë ftesë; do të studiojmë kushtet për të gjetur kohën dhe mënyrat, të cilat duhet të jenë sa më të frytshme për Ukrainën dhe për paqen në botë.
Në fund dua t’ju kërkoj një përshtypje personale. Çfarë merrni me vete, simbolikisht, pas këtij udhëtimi?
Po, janë pamjet e pallateve dhe shtëpive të bombarduara. Të shohësh nga afër vendet ku jetonin familje, që kanë humbur gjithçka, është krejt ndryshe nga pamja e tyre në televizion. Fytyrat e njerëzve, dëshpërimi i tyre dhe, njëkohësisht, shpresa dinjitoze për ditë më të mira, janë imazhe që mbeten përgjithmonë në zemër./Radio Vatikani