Pjesëtarët e Njësisë Speciale Intervenuese sërish do të protestojnë para objektit të Qeverisë së Kosovës, pasi nuk kanë arritur marrëveshje me kryeministrin Albin Kurti lidhur me kërkesat e tyre.
Pjesëtarët e njësisë elitare të Policisë së Kosovës tashmë kanë dorëzuar kërkesën për protestë, e cila pritet të mbahet të shtunën e 9 dhjetorit.
Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, në një prononcim për Telegrafin tha se janë në kontakt me ta pasi siç u shpreh ai, aktualisht nuk e di se cilat janë kërkesat e tyre.
“Ata kanë paralajmëruar protestë për datën 9 dhjetor. Kërkesën e kanë adresuar në mënyrë të rregullt te organet e rendit. Jemi duke biseduar me ta sepse aktualisht nuk e di se cilat janë kërkesat e tyre”, deklaroi Zeqiri.
Ai shtoi se ka paralajmërime se kësaj proteste do t’i bashkëngjiten edhe njësi të tjera.
“Ka paralajmërime, por këtë ende nuk e kam të konfirmuar. Gjithsesi, ne i përkrahim kërkesat e çdo polici dhe nëse mbahet kjo protestë ne si sindikatë do të marrim pjesë”, u shpreh mes tjerash Zeqiri.
Kujtojmë që AlbanianPost, ka publikuar detaje nga takimi që kishin pjesëtarët e Njësisë Speciale Interveneuse me Kurtin me 15 nëntor.
Kryeministri i Kosovës iu tha se ajo çfarë kanë bërë me 24 shtator kur u përballën me terroristët serbë nuk përbën ndonjë sukses të madh nga ana e tyre, meqë thjesht “i keni vrarë tre veta nga distanca me snajper”.
Ndryshe nga sa e paraqiste në publik si një betejë të jashtëzakonshme të NjSI-së, Kurti u është drejtuar pjesëtarëve të FIT-it duke u thënë se “nuk është se keni bërë gjë (me 24 shtator), i keni vrarë tre veta me snajper nga distanca”.
Madje Kurti u ka thënë atyre se “nuk mund të dorëzohem para jush”.