Një koalicion i organizatave të shoqërisë civile i ka dërguar Qeverisë së Kosovës një deklaratë të përbashkët publike, përmes së cilës kërkohet që buxheti i vitit 2026 dhe Korniza e ardhshme Afatmesme e Shpenzimeve të adresojnë në mënyrë aktive nevojat e të gjithë qytetarëve dhe pengesat që kufizojnë pjesëmarrjen e grave në tregun e punës, transmeton Gazeta Metro.
Sipas këtyre organizatave, buxheti i Kosovës duhet t’u dalë ndesh nevojave të ndryshme të grave dhe burrave.
“Hulumtimet e fundit nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) dhe Caritasi Zviceran në Kosovë konfirmojnë se barrierat strukturore aktualisht i lënë 74% të grave jashtë tregut të punës.Ndërkohë që pjesëmarrja e burrave në fuqinë punëtore është rreth 60%, pjesëmarrja e grave qëndron vetëm në 26%. Ky përjashtim krijon një mungesë të vetë-imponuar të fuqisë punëtore që pengon prosperitetin ekonomik të Kosovës. U bëjmë thirrje institucioneve udhëheqëse të kalojnë nga fjalët në vepra, përtej “zotimeve në letër”, dhe të investojnë në gjashtë fusha kritike”.
Organizatat njëherësh kërkojnë një ligj të ri për punën, investime në shërbimet e kujdesit, sigurimin e transportit të qasshëm në vendet rurale, institucionalizimi i buxhetimit të përgjegjshëm gjinor si dhe sigurim i llogaridhënies në agjendën e reformave.